Lulzim Basha, kundërshton qëndrimin zyrtar të Bashkimit Europian që shprehet se Shqipëria ka bërë hapa progresive për çeljen e negociatave.
Kryedemokrati teksa ka marrë pjesë në një takim me Partitë Popullore Europiane, vuri në dukje se qeveria “Rama” po kap drejtësinë duke i treguar edhe për protestën që PD dhe LSI organizuan më 27 janar.
Basha i tregoi qëndrimin e opozitës se zgjidhja politike për Shqipërinë është një qeveri antimafia e çliruar nga krimi.
“Duket qartë se zëri i shqiptarëve të bashkuar më 27 janar kumbon fuqishëm edhe këtu në Bruksel në zemrën e Bashkimit Europian, në institucionet e Bashkimit Europian dhe në Parlamentin Europian.
Ka një shqetësim të jashtëzakonshëm të institucioneve europiane dhe të përfaqësuesve të vendeve anëtare për ngecjen e reformës në drejtësi dhe për kapjen e drejtësisë, e cila mishërohet nga rasti “Tahiri
Dhe unë nuk kam pikë dyshimi se partnerët e kanë kuptuar që, përtej fjalëve të bukura, propagandës, Edi Rama, përfaqëson atë që këta tani e masin vetë pas 5 vitesh të tij në pushtet, më shumë drogë eksportohet prej tij, më shumë krim eksportohet nga Shqipëria drejt Europës prej tij dhe më shumë emigracion i paligjshëm. Ky është produkti i Edi Ramës në raport me Europën.”-tha Basha.
Ndërkohë vetëm pak ditë më parë, eurodeputeti Eduard Kukan teksa komentoi zhvillimet e fundit politike në vend, tha për gazetën “TemA” se Shqipëria ka humbur mjaft kohë dhe energji duke u marrë me “luftë” të brendshme politike ku shton se prej saj ka humbur mjaft.
“Mungesa e një dialogu konstruktiv politik dhe konsensusi midis partive politike në vend, ka qenë shpesh herë dëmtues i imazhit të vendit. Gjithashtu gjendja pengoi progresin në procesin e integrimit Evropian. Shqipëria humbi shumë kohë me përpjekjet e brendshme politike. Koha dhe energjia, duhet të ishin investuar në proceset e reformës dhe integrimit. Le të mos harrojmë se integrimi në BE mbështetet nga shumica e qytetarëve shqiptarë,” tha Kukan. (TemA)