Drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Shkup për të diskutuar mbi Planin e Rritjes Ekonomike që ka miratuar Komisioni Evropian. Liderët kanë shprehur gatishmëri për t’i zhvilluar vendet e rajonit sipas standardeve evropiane për një qëllim të caktuar, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kështu është thënë në deklaratën e miratuar në fund të konferencës.
Ndihmës sekretari amerikan i shtetit James O’Brien dhe përfaqësuesi i BE, Gert Jan Kopmann thanë njëzëri se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë për integrimin ekonomik rajonal e më pas kështu do ta kenë më të lehtë integrimin ekonomik në union.
Por, ata u treguan të qartë duke thënë se duhet të lënë pas mërinë dhe se asnjë vend nuk mund të pengojë fqinjët pasi në të kundërt do të ketë pasoja.
“Askush nuk duhet ta pengojë tjetrin për avancimin për shkak se ka çështje të pazgjidhura. Kush e bën këtë do ballafaqohet me pasoja”, tha James O’Brien.
“Ne duam të vini me ne, nëse i bllokoni fqinjët nuk do të ketë mundësi për hyrje në tregun e brendshëm, pasi kostoja e përbashkët e bashkëpunimit është shumë e lartë”, tha Gert Jan Kopmann.
I pranishëm nga Shqipëria ishte kryeministri Edi Rama, i cili nuk ka kursyer kritikat për Bashkimin Europian, duke thënë se duhej të ishte treguar me serioz në procesin e integrimit të Ballkanit.
“Dua të nënvizoj një çështje. Paramendoni në çfarë pozicioni më të mirë do të ishim nëse BE do të ishte më serioze në integrimin rajonal dhe do të ishte më serioze me çështjet e vërteta. Kështu duhet të ishte kur nisi procesi i Berlinit, që nis një herë në vit, një vit mes vendit dhe një ditë. Prandaj nisëm me Ballkanin e hapur” tha Rama.
Duke folur për planin e ri të rritjes së Ballkanit Perëndimor, Kryeministri nënvizoi rëndësinë e kësaj iniciative jo vetëm për shtetet e rajonit por edhe për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e gjithë rajonit në përgjithësi dhe theksoi se duhet të harrohen ngjyrat e flamujve dhe te lihen pas historitë e grindjeve. Rama theksin dhe tek roli i BE-së, si i vetmi institucion që mund të bëjë bashkë në një tryezë liderët e Ballkanit Perëndor.
Të vendosim një rreth politik siç kishim mbrëmë. Të takohemi rregullisht, për shkak se edhe pse jemi shumë entuziastë jemi ballkanas. Nëse nuk vini për të na ulur bashkë në një tryezë mund ti bëjmë punët pis. Koordinimi teknik është shumë i rëndësishëm. Ministrat e integrimit të 6 vendeve tona të kenë mesazh të qartë nga liderët se duhet të harrojnë historinë. Duhet të harroni cila ngjyrë është flamuri i vendeve tona, flamuri më I rëndësishëm është I BE-së. të ulemi e teknikisht të realizojmë detajet.
Kreu i qeverisë adresoi kritika BE-së kur tha se deri tani vendet që nuk janë anëtare të BE-së, kanë përfituar shumë pak mjete financiare nga Unioni.
Procesi i integrimeve deri tani ka qenë, merr gjithçka nëse bëhesh anëtar, por nuk merr asgjë deri sa të bëhesh anëtar. Dhe kur them asgjë, nuk do të them se nuk janë relevant “kikirikët” që marrim nga IPA. Por them se hapësira mes asaj që marrin vendet anëtare nga të qenurit pjesë e BE-së dhe çfarë në marrim, është shkatërruese. Pra, një nga vendet fqinje, që është pjesë e BE-së, emërojeni ju, merr nga BE-ja çdo vit 4.000 e disa qindra euro për qytetar, nga BE-ja, jashtë buxhetit. Dhe ne këtu, ne marrim 123 euro për çdo qytetar. Kjo është hapësira, e di, e meritojmë, sepse nuk jemi djemtë më të mirë që mund të gjeni në Europë”, tha mes tjerash Rama
Nga Kosova, i pranishëm ishte kryeministri Albin Kurti, ndërsa nga Serbia presidenti Aleksandër Vuçiç. Po ashtu të pranishëm ishin edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç dhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, për periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.
Deri tani nuk është folur për shuma konkrete për secilin shtet, por kjo do të varet nga madhësia e shtetit, nga Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe nga kushte të tjera që kanë të bëjnë me reformat.