Deklarata e Lulzim Bashës në parlament më 21 Qershor 2018 për ekzistencën e një makine Toyota Yaris, brenda të cilës po transportoheshin 1.5 milionë euro ndryshoi planet e operacionit kriminal të Alfred dhe Elvis Vladit. Pikërisht, për ndryshimin e planit më 21 Qershor, ka dhënë shpjegime përpara prokurorëve njëri nga 4 të arrestuarit, Agim Çeka.
Report TV disponon deklarimin e shoferit Agim Çeka para prokurorëve nga ku qartësisht tregohet plani i udhëtimit.
Dëshmia e Agim Çekës para Prokurorëve
Ata do të niseshin nga Belgjika për në Gjermani dhe plani i tyre ishte të mbërrinin në Ankona, pasi edhe biletat e tragetit ishin prerë për t’u nisur nga ky qytet më datën 21 Qershor.
Por plani i tyre ndryshoi menjëherë, gjë të cilën e dëshmon Agim Çeka .
Mesdita e 21 Qershorit, përkon me deklaratën e Bashës nga salla e parlamentit, ku kreu demokratëve tregoi ekzistencën e një plani për të sjellë 1.5 milionë euro përmes makinave Toyota Yaris në Shqipëri.
Pra operacioni tepër sekret, inicuar nga Interpoli, SHISH dhe policia shqiptare u dekonspirua.
Kjo deklaratë ka alarmuar dhe vuri në lëvizje kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi të cilët kanë urdhëruar me telefon Agim Cekën të mos dërgojë makinat nga Ankona por përmes portit të Barit siç edhe ndodhi. Një përpjekjë e dëshpëruar kjo, për t’i shpëtuar kapjes nga policia.
Në fakt, edhe sipas informacioneve të para në dispozicion të Interpolit dhe SHISH, kamioni Bizarka ku ishin ngarkuar makinat Toyota, të mbushura me miliona euro duhet të niseshin drejt Shqipërisë nga porti i Ankonës.
Agim Çeka thotë se makinat i ka ngarkuar në Belgjikë Elvis Vladi, dhe se janë nisur për në Ankona, por pronari Edi Lika i ka thënë që të shkojë në portin e Barit. Shoferi i trajlerit ka theksuar se në Durrës i priste Fredi, djali i xhaxhait të Elvis Vladit.
Por Alfred dhe Elvis Vladi shumë shpejt kuptuan që as ndryshimi itinerarit nuk mjaftonte për të shpëtuar nga arrestimi. Dhe kështu pas dekonspirimit nga salla e Kuvendit dy personat kyç në këtë sipërmarrje kriminale transporti të 3.4 milionë euro vendosën të largohen në arrati, duke shmangur kështu deri më tani arrestimin.
Duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor Report TV dy ditë më parë mësoi se kryedemokrati Basha mund të jetë subjekt hetimi për dekonspirim të këtij operacioni sëbashku me një oficer të SHISH.