Nga Carlo Bollino
Rreth aferës së privatizimit të ish-Klubit Partizani, linja e mbrojtjes e Sali Berishës dhe dhëndrit është që ata nuk kanë asnjë përgjegjësi mbi ndryshimin e destinacionit të përdorimit për terrene të Ish Klubit Partizani, nga sportive në të ndërtueshme. Pra, edhe nëse falë këtij ndryshimi familja Berisha-Malltezi është bërë miliardere, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, të akuzuar nga SPAK dhe GJKKO për korrupsion edhe për këtë ndryshim, ia lënë përgjegjësinë Edi Ramës. Prokuroria dhe gjykata antikorrupsion thonë se ai ndryshim destinacioni përdorimi u favorizua dhe u firmos nga Sali Berisha, por e vërteta e zbuluar tani është akoma më thellë se kaq, dhe 4 faktet të reja mund të përdoren edhe nga SPAK si prova te fundit për të vendosur familjen Berisha përballë përgjegjsisë së tyre.
Në fakt, dokumentat e zbuluar nga redaksia investigative e Shqiptarja.com vërtetojnë se gjithë vendimet e marra për të ndryshuar destinacionin e përdorimit të terrenit mbi të cilin qëndronte Klubi Sportiv Partizani dhe ku pastaj u ndërtuan 19 kullat, u firmosën gjithmonë nga Sali Berisha, nga Lulzim Basha dhe nga përfaqësues të Partisë Demokratike. Dhe ndryshe nga amendimet e familjes Berisha, ky konkluzion bazohet mbi 4 fakte te pakundërshtueshme.
FAKTI I: Ndryshimin e parë të destinacionit të Ish-Klubit Partizani në 2006 e bëri KRRT e Bashkisë së Tiranës, por me shumicën e votave të Partisë Demokratike
Vendimi i parë, që i takon vetëm një pjese të vogël të sipërfaqes, baraz me 0.7 hektarë, u firmos nga KRT e Tiranës drejtuar nga Edi Rama si kryetari i bashkisë me 7 mars 2006 dhe u ratifikua më pas nga Sali Berisha në cilësinë e kryetarit të KRRTRSH-së kombëtare me 21 nëntor 2006. Berisha dhe dhëndri i tij shfrytëzuan këtë rrethanë duke u përpjekur t’ja hedhin çdo përgjegjësi Edi Ramës.
Berisha deklaroi deri edhe se ai ndryshim destinacioni përdorimi është një krim për të cilin Edi Rama duhet të përgjigjet me një dënim deri 10 vjet burg!! Në realitet, çka përmbys përfundimisht akuzën e familjes Berisha është fakti se KRT e Tiranës në mars 2006 kontrollohej nga 13 eksponentë të Partisë Demokratike (që në atë moment ishte në qeverisjen e vendit) kundër 7 të Partisë Socialiste. Një përbërje e detyruar nga neni 19 i ligji urbanistik i 1998 (i cili një vit më pas ne fakt u modifikua). Absurditeti i KRT-je e Bashkisë së Tiranës e drejtuar nga kryebashkiaku (pra pushteti vendor), por e kontrolluar nga shumica e pushtetit qëndror, u kundërshtua edhe nga Gjykata Kushtetuese me një vendim të 21.12.2006, me të cilën denonconte se ”neni 19 i ligjit “Për Urbanistikën”, parashikon përbërjen e KRRT-së së Bashkisë, Tiranë me një shumicë të cilësuar nga përfaqësues të pushtetit qendror (pra në këtë rast Partia demokratike – sh. red. )dhe me pakicën prej 1/3-ës të anëtarëve nga pushteti vendor (pra Partia socialiste – sh. red.), dhe kjo përbën një tjetër shkak, nga i cili ka lindur mosmarrëveshja e kompetencës ndërmjet dy pushteteve”.
Pra është e pakundërshtueshme se modifikimi i parë i destinacionit të përdorimit të tokës se Klubit Partizani nga sportiv në të ndërtueshëm nuk u vendos nga Edi Rama siç pretendon Berisha dhe dhëndrri, por nga përfaqësues të Partisë Demokratike që kontrollonin numerikisht organizmin urbanistik të kryeqytetit me kryetar Bashkie Edi Ramën. Nëse do të kishin qenë kundër, i kishin votat e duhura për ta rrëzuar vendimin. Vendimi u ratifikua përfundimisht nëntë muaj më pas nga kryeministri Sali Berisha në funksionin e tij si kryetar i KRRTRSH-së kombëtare.
FAKTI II: Plani urbanistik i Ramës i vitit 2008 nuk u ratifikua kurrë nga Sali Berisha. Por ai, duke ndryshuar ligjin per sportin, u hapi prapë rrugë për ndërtimin mbi terrenet sportive ish pronarëve
Familja Berisha pretendon se edhe më pas, për ndryshimin e destinacionit të tokave që kishin mbetur sportive brenda ish klubit Partizani, përgjegjës është Edi Rama. Një akuze që bëhet duke cituar planin urbanistik ‘’Urbaplan’’ të Tiranës të votuar nga Rama me 27.12.2008. Por ajo që familja Berisha nuk e tregon është se në të vërtetë, ai plan nuk ka hyrë asnjëherë në fuqi pikërisht sepse Sali Berisha që vazhdonte të ishte në krye të KRRTRSH-së, nuk e ratifikoi kurre. Plani i bërë nga studio zvicerane Urbaplan me kërkesë të kryebashkiakut Edi Rama, mbulonte gjithë Tiranën dhe jo vetëm tokat e Klubit Partizani. Për Berishën ishte prioritare nga pikëpamja politike të sabotonte planin rregullator të Tiranës për të treguar se kryebashkiaku Edi Rama kishte qenë i paaftë ta realizonte, një lëvizje taktike në prag të zgjedhjeve vendore të majit 2011. Ky argument u përdor për shumë kohë në atë periudhë si armë politike kundër Edi Ramës deri në pikën që edhe vetë anëtarët e PD-së që bënin pjesë, bllokuan punimet e KRT-së së Tiranës “derisa Rama të bëjë planin urbanistik”, që Sali Berisha ama nuk e firmoste. Me këtë refren KRT e kryeqytetit, për gati dy vite, nuk mundi as të mblidhej.
Për Berishën ishte prioritare të godiste Ramën politikisht duke sabotuar planin urbanistik, pasi ndërkohë problemin e ndryshimi të destinacionit të përdorimit të tokave sportive të Klubit Partizani që i shërbenin familjes së tij për të ndërtuar sipër kullat, e kishte zgjidhur ndryshe, duke modifikuar Ligjin per sportet. Pra, nuk kishte më nevojën e planit urbanistik për ta bërë. Ne fakt deri në korrik të 2007 ligji për sportet parashikonte mundësinë për të dhënë me konçension terrenet sportive privatëve, por “me kushtin që të mos modifikonin destinacionin e përdorimit”. Me ligjin nr.9963 datë 21.07.2008 Berisha modifikon nenin 31 të ligjit mbi Sportet në këtë mënyrë: “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka te tille, ne të kundërt jepen me koncension me kusht qe te mos ndryshojë destinacioni”.
Modifikimi duket të jetë bërë posaçërisht për të favorizuar ish-pronarët e Klub Partizanit të cilëve, jo vetëm iu dha e drejta për të privatizuar objektet sportive, por iu lejua të modifikojnë edhe destinacionin e përdorimit, një pengesë që mbetet për gjithë të tjerët. Berisha, duke u përpjekur sot të mbrohet nga akuzat, pretendon se kushti “të mos ndryshojë destinacioni” sipas tij vlente edhe për ish-pronarët, ndërsa SPAK thotë se hartimi i nenit të ri 31 bërë nga qeveria Berisha nuk lë asnjë dyshim: Nëse ka ish pronarë (dhe “rastësisht” Klubi Partizani kishte) ata mund të privatizojnë terrenet pa asnjë kusht, pra edhe duke ndryshuar destinacionin. Prova përfundimtare është që trashgimtarët të shtyrë nga Jamarbër Malltezi që kishte garanci nga vjerri, vendosën ta kërkonin dhe ta privatizonin tokat sportive, të cilat pa mundësinë për të ndryshuar destinacionin e perdorimit, në fakt nuk do kishin asnjë vlerë.
Siç raporton dhe Zëri i Amerikës në një investigim gazetaresk të kohëve të fundit, i konsideruar “korrekte” edhe nga Jamarbër Malltezi, ai modifikim i ligjit mbi Sportet nxiti një debat të fortë në Parlament nga ana e Partisë Socialiste pikërisht mbi interpretimin e nenit 31. Deputeti Erjon Braçe denoncoi atë që ne fakt u realizua më vonë: Formulimi i modifikimit të atij neni mbi destinacionin e përdorimit vendosur nga Sali Berisha, në fakt lejonte ish-pronarët të modifikonin terrenin per të zevëndësuar fushat sportive dhe palestrat me kullat.
FAKT III: Edhe pas debatit në Kuvend me Partinë Socialiste mbi interpretimin e atij neni, Sali Berisha nuk e ndryshon formulimin pikërisht pse ai ndryshim favorizonte dhëndrin si ish pronar
Duke lexuar pjesën e debatit të seancës në kuvend të korrikut 2008 gjate te cilës Erjon Brace ka kundershtuar interpretimin logjik te nenit 31 mbi ndryshimin e destinacionit (te njëjtin interpretim që ka berë sot SPAK), Sali Berisha nuk pranon asnjë ndryshim. Duket qartë keshtu qellimi tek ai ndryshim. Madje edhe atëhere si po ben sot, Berisha ka shkarkuar përgjegjësinë te Edi Rama.
Erjon Braçe, deputet i PS: Ajo që më bën përshtypje është fakti tjetër, që fjalia mbyllet këtu: “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit kur ka të tillë. Në të kundërt jepen me koncesion me kusht që të mos ndryshojë destinacioni.” Pra kushtin që të mos ndryshojë destinacioni ju e futni në këtë nen vetëm për shoqëritë aksionere apo për klubet, dhe mirë bëni. Por ç’ndodh në rastin kur ka ish-pronarë? E mori pronën pronari, shumë mirë, ia dhatë këtë të drejtë, por pse nuk vendosni kushtin, që normalisht kjo pronë të mos tjetërsohet? Prandaj, zoti Kryeministër, thashë pak më parë që ky nen nuk ka lidhje me sportin. Ky nen ka lidhje me trojet dhe ky është një problem shumë i madh.
Kryeministri Sali Berisha: Do të përgjigjem në mënyrë shumë të thjeshtë. Se çfarë do të bëjnë pronarët, të jesh i bindur që Qeveria ka zero tagër në Tiranë. Qeveria e Tiranës jeni ju dhe është kryetari i Bashkisë së Tiranës. Të nderuar zotërinj, se çfarë do të bëjnë pronarët me territorin e tyre, e ka në dorë Bashkia e Tiranës dhe pronari, jo Qeveria. Në fakt, ju e keni shënjestrën tjetërkund, jo tek unë. Është puna juaj.
Erjon Braçe: Kjo është themelore për të garantuar ekzistencën e klubeve sportive dhe ushtrimin e sportit në këto objekte sportive në vijim. Unë nuk mund ta pranoj konceptin tuaj që ju nuk ndërhyni. Nuk është e vërtetë. Territorin nuk e qeverisin vetëm njësitë vendore, atë e qeverisni edhe ju dhe ju jeni kryetari i KRTRSH-së, jeni ju që, jo më larg se disa muaj më parë, keni ndryshuar me vendim të KRTRSH-së destinacionin e disa zonave sportive në Tiranë. Prandaj, do të ishte mirë që ju, personalisht, ta pranoni këtë kusht për ish-pronarët”.
Edhe pse ishte paralajmëruar për rrezikun e keqkuptimit të asaj fjalie, Berisha refuzoi të modifikonte formulimin e nenit në ligj siç ja pat sygjeruar Erjon Braçe, duke konfirmuar në këtë mënyrë se arsyeja e vërtetë e modifikimit të ligjit ishte pikërisht lejimi i ndryshimit të destinacionit të përdorimit të terreneve sportive nga ana e ish-pronarëve. Pak muaj pas modifikimit të ligjit mbi Sportet, terrenet sportive të Klubit Partizani u morën në dorëzim nga ish-pronarët dhe mbi truallin dhe Jamarbër Malltezi mundi të ndërtojë 19 kulla.
FAKT IV: Me planin urbanistik të Lulzim Bashës të certifikuar nga Sali Berisha, trualli sportiv i ish Klubit Partizani u transformua perfundimisht në shesh ndertimi, duke lejuar ndërtimin e 19 kullave nga familja Berisha
Pavarësisht nga mundesitë e sigurura nga Ligji per Sportet, kur tashme kishin fituar zgjiedhjet e majit 2011, destinacioni i përdorimit të atyre terreneve sportive u modifikua përfundimisht edhe nga Bashkia dhe nga KRRTRSH. Por jo kur ishte kryetar bashkie Edi Rama siç pretendojne Saliu dhe Abi, por në 2013 kur ishte kryebashkiak Lulzim Basha.
Plani i tij urbanistik, që modifikoi pjesërisht projektin të Urbaplan të Edi Ramës që siç e pamë nuk kishte hyrë asnjëherë në fuqi , u votua vetëm nga Partia Demokratike dhe më pas u ratifikua nga Sali Berisha si kryetari i KRTRSH. Por nëse ishte kunder ndryshimit te destinacionit te fushave sportive sic pretendon sot, pse Berisha nuk e detyroi Luzlim Bashën ta ndryshonte planin e pergatitur nga Edi Rama?
Ne fakt terrenet sportive të Klubit Partizani tashmë të privatizuara edhe nga familja Berisha-Malltezi u bënë të gjitha të ndërtueshme. Rruga për ndërtimin e 19 kullave në vend të fushave të sportit, pistave të vrapit, palestrave dhe pishinës, ishte përfundimisht e hapur. Konsulent për planin rregullator për Bashkinë e Tiranës të kryesuar nga Lulzim Basha qe i hapi rrugën investimit kolosal, ishte vetë investitori Jamarbër Malltezi. (Shqiptarja.com)