Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Ali Ahmeti, politikani shqiptar në RMV, ka treguar se ish-sekretari i NATO-s, Lord George Robertson, është me origjinë nga Vlora.
Ai tregon se Robertson-i ka bërë një test ADN-je dhe zbuloi se një përqindje e gjeneve të tij janë shqiptare. Ali Ahmeti e lidh këtë histori me idenë e tij të mëparshme, se të gjitha shtetet, popujt e kombet që jetojnë në veriun më të largët të Evropës, djepin e parë e kanë pasur në Mesdhe.
Për këtë arsye ai në “Opinion” shprehu dhe ëndrrën e tij të radhës: Shtetet e Bashkuara të Evropës.
Ali Ahmeti: Sa për dijeni tuajën, unë e kam shumë mik Robertson-in dhe kemi hyrë në shumë biseda të thella. Sigurisht Robertson-i mund të jetë bërë dhe kureshtarë nga çështjet që unë i ngrija dhe shkon edhe bën ADN-n. Dhe, ADN-ja…
Blendi Fevziu: Mos më thuaj që i doli shqiptar?
Ali Ahmeti: Nga Vlora.
Blendi Fevziu: Lord Robertson?! Lord Robertson nga Vlora?!
Ali Ahmeti: Po. Merr shtypin sepse mban një ligjëratë në Beograd, zoti Robertson, dhe për të treguar, se ai dikur ka menduar që është skocez e shkuar skocezit.
Blendi Fevziu: Kështu më pati thënë edhe mua në intervistë.
Ali Ahmeti: Po, edhe thotë: “Nuk ishte ashtu”, se të gjithë kemi lidhje gjaku, ne popujt e Evropës. Edhe të nesërmen, i tërë shtypi i Beogradit: “Ja kush na ka bombarduar neve”.