Shefi i ushtrisë së Ukrainës, Valery Zaluzhny, u thirr në një takim në zyrën e presidentit të hënën, ku sipas CNN i është komunikuar shkarkimi.
Sipas burimeve të CNN ende nuk është bërë një njoftim zyrtar, që do të thotë se Zaluzhny ishte ende në post që nga mbrëmja e së mërkurës, megjithatë, një dekret presidencial pritet deri në fund të javës.
Kjo do të ishte tronditja më e madhe ushtarake nga Zelensky që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë, pothuajse dy vjet më parë.
Lajmet për takimin dhe shkarkimin e Zaluzhny, shpërthyen në Kiev të hënën në mbrëmje, pas një përçarje që kishte ndodhur midis presidentit dhe komandantit të tij të përgjithshëm, pas dështimit të kundërofensive ukrainase, vitin e kaluar.
Tensionet thuhet se janë rritur veçanërisht kur Zaluzhny e përshkroi luftën me Rusinë si një ngërç, në një intervistë me revistën “Economist” në nëntor.
Të hënën, zëdhënësi presidencial Serhiy Nykyforov deklaroi se thashethemet për shkarkimin e shefit të ushtrisë ishin të pavërteta.
Ministria e Mbrojtjes publikoi gjithashtu një mesazh në kanalet e saj të mediave sociale ku shkruhej: “Të dashur gazetarë, një përgjigje e menjëhershme për të gjithë: Jo, kjo nuk është e vërtetë”.
Analisti nga Ukraina Nicolas Davidiuk ka folur në lidhje me përplasjet e nisura në Kiev mes presidentit Zelensky dhe drejtuesit të ushtrisë, gjeneralit Valerii Zaluzhnyi. Analisti theksoi se në Kiev po flitet se presidenti ukrainas po përpiqet që ta shkarkojë gjenderalin e ushtrisë.
Kjo sipas tij pasi Zaluzhnyi është kthyer në një lloj superheroi dhe ka fituar simpatinë e qytetarëve ukrainas. Ai shtoi në Euronews Albania se tashmë presidenti ukrainas po e sheh gjeneralin që udhëheq luftën kundër Rusisë si një njeri mjaft popullor që mund t’i kërcënojë pushtetin.
“Njerëzit e mbështesin presidentin, por të tjerë mbështesin zotin Valerii Zaluzhnyi, që ka qenë dhe lideri ushtarak që është kthyer në një ikonë për këtë luftë.
Që nga fillimi që kur Rusia hyri në Ukrainë, mendoj se ai është kthyer në një lloj superheroi dhe mendimi i presidentit që ta shkarkoj nuk është i mirëpritur. Qytetarët e mbështesin gjeneralin dhe aktualisht ka negociata për këtë çështje. Por dua ta theksoj se qytetarët mbajnë anën e gjeneralit.
Nga idetë e mia Zelensky po kërkon ide dhe skkenare të reja. Gjithashtu ka dhe një garë politike pasi mbështetja për gjeneralin u rrit ndjeshëm. Zelensky dhe ne nga ana jonë nuk presim që të ketë zgjedhje në këto kohë.
Aktualisht punën po e bën komandanti i ushtrisë më shumë se sa Zelensky. Synimi është që të grumbullohen armatime për Ukraninë në mënyrë që të nisë një kundërofensivë edhe më e fortë”, tha ai.
Dhe në fjalimin e tij të përditshëm të mbrëmjes të hënën, vetë Zelensky nuk iu referua fare shefit të ushtrisë së tij.