Mero Baze
Nëse drejtësia e re nuk ka arritur ende të fusë në sitë gjithë klasën politike, së paku ka arritur ta vendosë në rresht. Me kaq pak viktima sa ka deri tani, efekti i saj është i qartë dhe pushteti i saj mbi politikën është i plotë.
Sot politika shqiptare nuk është më e djathtë apo e majtë, por pro SPAK dhe kundër SPAK. Sot Flamur Noka, mëkëmbës i Sali Berishës, që drejtësia e ka mbyll majë ballkonit, u bëri thirrje socialistëve të mbështesin protestat e tyre kundër SPAK, për çlirimin nga burgu të Sali Berishës. Madje si argument përdori dhe intervistën e Arben Ahmetajt. Demek mirë mua që më quani budalla, po besoni Benin të paktën.
Ilir Meta po ashtu është futur në rresht në këtë betejë kundër drejtësisë së re.
Përballë tyre socialistët vazhdojnë ta konsiderojnë drejtësinë e re vepër të tyre, edhe pse kanë më shumë viktima se kushdo tjetër, ndërsa brenda opozitës palët po ashtu janë ndarë pro drejtësisë dhe kundër saj.
Pra në një farë mënyre kjo që po bën drejtësia e re mbi politikën shqiptare, më shumë se sa shifra të dënuarish, ka rëndësi fakti që atyre u ka dhënë kauzë për të vazhduar më tej dhe për të bërë aleanca.
Sot kemi Berishën, Metën dhe disa socialistë të ndëshkuar që janë kundër drejtësisë së re, dhe Partinë Socialiste, PD por dhe një fraksion deputetësh që janë pro drejtësisë së re.
Madje i vetmi frymëzim politik në këto kohë është vetëm debati mbi drejtësinë. Të gjithë që flasin për programe apo për akuza korrupsioni, në fund kërkojnë aleancë me drejtësinë.
Drejtësia është kthyer sot në ideologjinë e re të politikës shqiptare, e cila po i detyron partitë të rreshtohen pro, ose kundër korrupsionit. Ndaj çdo sajesë politike, çdo pazar për vulë a logo, çdo përpjekje për t’i vjedh Berishës elektorat e për ta përdorur kundër tij, apo çdo përpjekje për të goditur pushtetin e socialistëve me histori korrupsioni, shkojnë dëm, pasi në finale, ajo që mbetet në mendjen e njerëzve është vetëm rreshtimi pro apo kundër drejtësisë.
Tani ata që janë pro drejtësisë së re, mund të jenë dhe të korruptuar, por janë ata që pranojnë ndëshkimin nga drejtësia, dhe kjo “ideologji” i bën ata fitues tek elektorati. Pala tjetër, dikush që tani është majë ballkonit apo në qeli nga drejtësia, apo të tjerë që presin radhën, por janë rreshtur kundër drejtësisë, nuk kanë asnjë perspektivë të ngrejnë peshë zemrat e njerëzve duke thënë nuk e duam drejtësinë.
Me drejtësinë mund të bësh betejë, mund të mbrohesh, mund të dëshmosh faktet e tua përballë spekulimeve të mundshme të prokurorëve, por nuk mund të mos e pranosh sistemin.
Ndaj Flamuri nuk bën keq që thërret socialistët në protestë për të mbrojtur Berishën, pasi tani nuk ka më të majtë e të djathtë, ka elektorat pro apo kundër drejtësisë. Por nuk e kuptoj pse i duket që socialistët janë kundër drejtësisë, që i fton në protestë për të shpëtuar Berishën. Ata kanë dorëzuar gjysmën e qeverisë së tyre dhe duken të kënaqur. Jo për Berishën, që kënaqen ta shikojnë dhe më keq se aq.