Nga Malvina Tare
Në Shqipërinë e 2024-ës ende ka vjehrra që zihen me nuset, zihen për rritjen e fëmijëve, zihen për punët e shtëpisë, zihen për kursimin, zihen për pastërtinë, zihen për veshjet dhe ç’është më komikja zihen për atë që i bashkon. Atë që nusen e bën nuse dhe vjehrrën, vjehërr, zihen për djalin e njërës dhe bashkëshortin e tjetrës.
Aq shumë i ndajnë hapësirat personale dhe jopersonale bashkë këto dy gra në një shtëpi, saqë i ngatërrojnë kufijtë e njërës dhe të tjetrës duke përfunduar me tragjedi. Nusja vret veten, ose nusja vret vjehrrën, ose djali vret nusen.
Qindra lajme të tilla nëpër media vijnë nga Shqipëria digjitale, e nga shqiptarët kudo kanë shkuar e mentalitetin nuk e kanë ndryshuar.
Po pse moj të uruara e keni kaq frikë lumturinë? Pse hani ende në një tas, pse ju tremb kaq shumë pavarësia?
E them këtë sepse shumë nuse shmangen për vite të tëra nga përgjegjësia e shtëpisë së tyre, e mbajtjes së familjes, e kujdesit për fëmijët, e kursimit për bashkëshortin. Duke pasur frikë nga përgjegjësia e jetës. E në krah të tyre qëndrojnë vjehrrat stoike përballë nuseve, duke u zënë jetë e mot për shtëpinë dhe detyrat që nuk zbatohen.
Por, ku gjendet burri i shtëpisë, bashkëshorti? Në punë a në emigrim, ai nuk është aty. Nuk di të mbajë as ai përgjegjësi për familjen që po krijon, sepse në epokën e TikTokut ajo që duhet më shumë është të mbushet barku me bukë, sesa truri me mend. Kështu burrat vazhdojnë e ikin nga sytë këmbët duke ndenjur larg nuseve, larg fëmijëve,larg shtëpisë edhe kur janë fizikisht nuk janë mendërisht.
Nënat shqiptare që bëhen vjehrra kanë frikë të qëndrojnë vetëm pasi fëmijët largohen, e akoma më keq kanë turp që fëmijët t’ju largohen. Ato ndihen të braktisura, ju humbet kuptimi për jetën.
Por jo, turp më i madh është që sherri për tenxhere të përfundojë në vrasje a vetëvrasje brenda familjes, jo largimi i fëmijëve.
Sepse nëse ka diçka që i rrit fëmijët është pavarësia dhe gabimet, jo këshillat e nënave.
Vjehrrat shqiptare, djalin e kanë si një trofe, pasi nuk është për të ardhur turp por, në vajzëri janë gjendur të pavlerësuara, nuk janë vlerësuar nga prindërit, nuk janë vlerësuar nga burri apo familja e burrit. E vetmja vlerë e tyre është që kanë lindur një fëmijë mashkull dhe kujdesen me fanatizëm për trofeun që u solli vlerë në jetë. Dhe ajo e mbron atë nga fisi, nga shokët, nga mësuesit, deri edhe nga gruaja. Madje dhe pas një krimi.
E ndërsa sot brezat janë në një luftë të ashpër është mëkat të mbetesh peng i një mentaliteti të gabuar.
Vjehrrat që flasin në kamera për një nuse të lumtur pasi ajo ka vrarë veten, janë të lëna nga mendja nëse mendojnë se dikush do t’i besojë. Më mirë të mbyllen në shtëpi dhe t’i thërrasin mendjes për ç’ka mbetur pas.
Në ditët e sotme kur gratë përpiqen më shumë se burrat, kërkojnë më shumë nga vetja dhe punojnë fort për të arritur atë që duan është e vështirë të caktosh kufij mes burrit dhe gruas. Kur të dy duhet të punojnë për një familje.
E megjithatë nuk besoj se ka lumturi më të madhe për një gjyshe se të ndihmojë me nipat ose mbesat, me një byrek të ngrohtë a me një petanik pas një dite të ngarkuar.
E sidomos, nuk ka si fjala e mirë e nënës në një familje që po rritet. Prandaj brezat duhet të ndihmojnë njëri- tjetrin për të kapërcyer me sukses sfidat që sjell koha ku jetojmë, për çdo familje.