Valltarja Liljana Cingu, ‘Shqiponja’ e valles shqiptare, është ndarë nga jeta në moshën 74-vjeçare.
Cingu ishte vlerësuar me dekoratën ‘Nderi i Kombit’, ishte nga valltaret shqiptare, që krijoi një personalitet të sajin tipik jo vetëm në skenë, por edhe jashtë saj.
“E trishtë ndarja nga jeta e “Mbretëreshës së valles shqiptare”, Lili Cingu. Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj. Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur. Sallës së provave të Ansamblit do t’i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël. Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi” shkruan Teatri i Operas dhe Baletit në një postim në facebook pasditen e sotme.
Liljana Cingu, u lind në Tiranë në 31 dhjetor 1950. Ashtu si dhjetëra artistë të tjerë edhe tek Lili talenti ra në sy që në fëmijëri. Ajo ndërmjet sportit dhe artit zgjodhi këtë të fundit.
Që në moshën 12 vjeçare përfaqëson shkollën ‘11 Janari’ në një konkurrim sportiv, ku dhe fiton një medalje duke u kualifikuar e para. Regjistrohet në grupin e valleve pranë Pallatit të pionierëve dhe më vonë 1963 ndjek një kurs vallëzimi katërvjeçar pranë AKKVP, nën drejtimin e Gëzim Kacelit. Ajo ju kushtua tërësisht valles dhe nuk mbeti e zhgënjyer.
Përfundon shkollën e mesme në Liceun artistik “Jordan Misja” në degën e koreografisë.
Në vitin 1967, pranohet si valltare profesioniste pranë AKVP, krahas valltareve të tjera. Në fillim interpreton si valltare e thjeshtë në grupin e valleve në vallet “Vallja e maleve”, “Vallja e tërkuzës”etj.
Që nga viti 1969 pas një turneu në Turqi ajo u bë një ndër solistet më të shquara të AKKVP, e cila për më se 30 vjet rresht arriti që në repertorin e saj të interpretonte rreth 200 valle , nga më të thjeshtat e deri tek ato më të arrirat si “Vallëzimi i shqipeve”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria” “Vjelja e gështenjave”, “Në garë”, ”Valle me motive të Labërisë”, “Vallja e Tiranës”, etj.
Një rol të rëndësishëm në jetën e gjatë artistike të Lili Cingut kanë luajtur edhe koreografët, ata që i besuan asaj perlat e koreografisë, duke filluar që nga Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj etj.
Lili Cingu është shquar për një interpretim dinjitoz, elegancë e finesë, si dhe një kulturë të lartë muzikore, si njohese e folklorit të të gjitha trevave. Këto cilësi i dhanë asaj mundësinë që të shpreh më mirë aftësinë në interpretimin e valleve lirike, por edhe atyre epike. Me kërcim të lehtë e plotë bukuri interpretoi me shije si vallen e Jugut, Çamërisë, të Dropullit, të Korçës, të Kolonjës, të Shqipërisë së Mesme,, ashtu edhe vallet epike të Veriut (Shota dhe Azem Galica”, “Sup më sup me malet”, “Oshëtima e maleve”, etj. Dhe natyrisht në këtë interpretim dinjitoz të saj nuk mund të mos permendim partnerët e saj në AKKVP Besim Zekthi, Bashkim Braho, Rexhep Çeliku etj.
Sukseset e AKKVP janë të lidhura edhe me solisten e këtij ansambli Lili Cingun. Në çdo vend të Evropës, Azisë, Amerikës e Kanadasë ku ka shkuar e është prezantuar Ansambli ka qënë present edhe Lili Cingu, duke marrë pjesë në shumë festival ndërkombëtare, ku ajo ka shpalosur me interpretimin e saj vlerat e artit koreografik shqiptar. Lili Cingu është një nga valltaret shqiptare që ka krijuar një personalitet të sajin tipik, jo vetëm në skenë por edhe jashtë saj.
Ajo punoi në AKKVP deri në vitin 1997, vit në të cilin u largua në Kanada si plotë artistë të tjerë në atë kohë, ku ushtroi profesionin e saj. Krijoi shkollë ku përgatiti brezin e ri të kërcimit të valles popullore shqiptare. Me duart e saj,si të ishte një stiliste, u qepte valltarëve kostumet e trevave të ndryshme, sidomos në festën e flamurit. Kurse vetë Lili si soliste, ka interpretuar disa herë në koncerte në Kanada, ku të pranishmit janë shprehur: “Me lëvizjet dhe kërcimin e saj, vendi i vogël shqiptar na duket i madh”.
Në vitin 2003 në Festivalin e Folkut në Tuz të Malit të Zi, si e ftuar me grupin e valleve të shqiptarëve në New York, u vlerësua si grupi më i mirë i festivalit. Edhe pas kthimit në atdhe Lili nuk e ndërpreu aktivitetin e saj artistik. Ka marrë pjesë në recitalet e partnerëve të saj Rexhep Çeliku e Besim Zekthi dhe në vitin 2011 organizoi recitalin e saj “Vallja ime, jeta ime”. Artistja e madhe e skenës, Lili Cingu është vlerësuar nga kritikët e artit botëror si “Perëndesha e valles”. Lili Cingu mban titullin “Nder i Kombit”, por gjatë aktivitetit të saj artistik me AKKVP-në ajo është nderuar me mjaft çmime, urdhra e medalje të ndryshme, me Çmimin e Republikës”, “Urdhrin “Naim Frashëri”. “Artiste e Merituar”etj. Për talentin, punën dhe suksesin e Liljana Cingut flasin dhjetra emisione televizive, reportazhe, me qindra faqe të shtypit të shkruar brenda dhe jashtë vendit .
Për këtë humbje ka eaguar dhe kryeministri Edi Rama
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se Cingut lë zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare.
“Lamtumirë. Ikja e Lili Cingut lë zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare. U prehtë në paqe”, shkruan Rama në Facebook.