Në konferencën e përbashkët për shtyp mes Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ministrit të Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius, Vuçiç u shpreh se “Serbia nuk do të befasojë askënd ushtarakisht ose me ndonjë lëvizje tjetër”.
Duke folur rreth çështjes së dinarit, që është ndaluar me të hyrë në fuqi rregullorja e re e BQK-së, Vuçiç tha se kjo është “absolutisht e paligjshme”.
“Për çështjen e dinarit nuk jemi plotësisht dakord, sepse Republika e Serbisë, në pajtim me marrëveshjet e pranuara, konsideron se heqja e dinarit është krejtësisht e paligjshme, sepse financimi i sistemit shëndetësor dhe shkollor është pjesë e marrëveshjes së parë të Brukselit dhe çdo marrëveshje tjetër pas kësaj, dhe nuk ka asnjë dokument tjetër që do të tregonte të kundërtën.
Ky është një provokim që askush nuk e di pse dikush po e bën, përveç se qëllimi është spastrimi etnik i serbëve nga Kosova”, tha Vuçiç.