Qeveria shqiptare ka kaluar për miratim një ndryshim ligjor që synon të penalizojë martesën apo bashkëjetesën me më shumë se një partner apo partnere.
Në këtë nen përfshihen atë që nga greqishtja njihen si bigamia dhe poligamia. Sipas nenit të ri, dënimi i aplikueshëm është gjobë deri në tre vjet burg.
Për të zbatuar këtë ligj praktikisht do të duhet të vihen në punë zbatues ligji ose de facto të funksionojë policia e moralit si në rastin e Iranit.
Por aplikimi i ligjit të ri, duket se has në vështirësi që deri e pamundësojnë zbatimin në terren: Presupozohet se një nga partnerët, apo një i afërm ose mik, deri edhe persona anonimë, të denoncojnë shkelje të ligjit.
Në këtë pikë do të duhet që organet ligjzbatuese të vihen në punë për të kryer verifikimet që do të çojnë në dënim.
Në rastet kur personi është i martuar me celebrim në bashki brenda Shqipërisë, kjo edhe mund të funksionojë deri diku sepse verifikohet nëse personi është martuar me letra më shumë se një herë. Megjithatë e vërteta është se ligji edhe tani nuk e lejon dhe askush nuk mund të martohet më shumë se një herë në Shqipëri nëse rezulton i martuar. Kodi i Familjes, de jure e ndalon martesën me më shumë se një person.
Vështirësia evidente vjen kur personi është i martuar jashtë vendit dhe rastet janë plot. Kjo situatë merr shumë kohë dhe burime njerëzore e financiare për të kryer verifikime.
Për më tepër shumëkush e di se ka shumë shqiptarë që, në përpjekje për të siguruar të drejta qëndrimi në emigracion, kanë bërë martesa të rreme për të fituar letrat dhe ndërkohë vazhdojnë jetën me partnerët që kanë pasur apo zgjedhur.
Këto situata duken praktikisht të pazgjidhshme dhe do të çonin në shkatërrimin e jetës së këtyre personave, të cilët, të braktisur nga shteti që nuk ka siguruar kushte të mira jetese për ta, janë shtrënguar të emigrojnë dhe të hidhen në veprime të tilla. Nëse ata do të verifikoheshin dhe dënoheshin, jeta e tyre do të merrte rrokopujën.
Nga ana tjetër, zgjidhja e martesës është ende një problem evident. Për zgjidhjen e saj ka një kalvar të gjatë dhe shpesh me ngecje për arsye nga më të ndryshmet. Shpesh, personat që duan të ndahen kanë një alternativë tjetër dhe hidhen pas saj edhe pse martesa ligjërisht nuk është zgjidhur, por de facto ka marrë fund.
Edhe në këto raste, duket e vështirë të zbatohet ligji i ri.
Një tjetër arsye pse zbatimi i këtij ligji duket i vështitë për t’u arritur është verifikimi i bashkëjetesës. Që të provosh se një person është duke bashkëjetuar me më shumë se një person tjetër, duhet më parë të verifikohet bashkëjetesa e parë nëse ka ndodhur dhe pastaj organet ligjzbatuese të merren me tjetrën. Këtu ka një tjetër situatë që rrezikon të kthehet në kaos dhe verifikimi është në kufijtë e të pamundurës, duke përfshirë dhe shumë pikëpyetje në arritjen e të vërtetës.
Një tjetër arsye e fortë përse ligji i ri nuk mund të funksionojë, është aspekti fetar: Feja islame që në Shqipëri mbulon rreth 70 për qind të popullsisë, lejon martesën me deri katër partnerë. Kjo do të thotë se një mashkull i rritur, mund të ketë njëherësh katër gra, me kusht që të sigurojë kushte të barabarta jetese për të gjitha partneret e tij.
Në praktikën shqiptare dhe atë ndërkombëtare, ushtrimi i të drejtave fetare është zbatim i një të drejte, si për shembull në rastet kur për arsye fetare një person nuk shkon ushtar, apo në rastet kur nuk pranojnë të bëjnë transfuzion gjaku siç janë të prerë Dëshmitarët e Jehovait.
Në këtë pikë, mbetet të shohim nëse ky ligj do të miratohet dhe si do të precipitojë zbatimi i tij direkt te qytetarët.
/noa.al