Ditët e “tmerrit” për familjen “Berisha” me përballjen me SPAK sapo kanë nisur.
Procesi për tragjedinë e “Gërdecit” ka hyrë në fazën e dëshmitarëve kryesorë, të cilët implikojnë direkt emrat e Sali Berishës dhe Shkëlzenit si pronarët në hije të “biznesit të vdekjes”.
Ka fakte dhe prova edhe nga amerikanët për sabotim hetimesh dhe këto dolën menjëherë pas shpërthimit të në Gërdec
Lëvizja e Berishës
Menjëherë pas shpërthimit në Gërdec, ku humbën jetën 26 qytetarë dhe u plagosën 300 të tjerë, Sali Berisha lëvizi me shpejtësi në dy drejtime; në fshehjen e implikimit të anëtarëve të familjes biologjike në Gërdec si dhe në implikimin e ambasadës amerikane në Tiranë. Në këtë kuadër, Gërdeci ka shënuar krisjen e madhe mes amerikanëve dhe Sali Berishës.
Pasi u përzu prej tyre një herë nga pushteti në ’97, Sali Berisha i preku sërish në kallo amerikanët me Gërdecin. Ky i fundit tentoi t’ia faturonte ambasadës amerikane dhe qeverisë së SHBA Gërdecin, duke mjegulluar përgjegjësinë e familjarëve të tij. Përplasja mes Berishës dhe amerikanëve. “Kemi vënë re se disa agjenci lajmesh, që gabimisht kanë raportuar se në depon ku ndodhën një numër shpërthimesh më 15 mars ishte në proces një projekt për çmontim të armëve financuar nga Qeveria e ShBA. Do të donim të qartësonim se Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk e ka ndihmuar Ministrinë e Mbrojtjes për çmontimin e municioneve në këtë bazë magazinimi.
Megjithëse Qeveria e ShBA ka bashkëpunuar më parë në mënyrë të suksesshme me Ministrinë e Mbrojtjes për një sërë projektesh shkatërrimi armësh, aktualisht nuk ka projekte të tilla të përbashkëta në Shqipëri. Me sa kuptojmë nga një deklaratë qeveritare e datës 15 mars, Qeveria e Shqipërisë kishte kontraktuar me një kompani private amerikane, Southern Ammunition Company, Inc. (SACI) nga Karolina e Jugut, për të ndihmuar për çmontimin e municioneve në këtë depo. Kontrata nuk financohet nga Qeveria e ShBA.
Dëshirojmë të përsërisim shqetësimin dhe ngushëllimet tona për të gjithë personat e prekur nga ky incident tragjik”, thuhet në deklaratën e parë të ambasadës amerikane. Më tej, ambasada sqaron edhe marrjen e masave pas ngjarjes. “Një skuadër me dhjetë anëtarë, në pension, të Forcave Speciale të Ushtrisë së ShBA, me përvojë të gjerë në shkatërrimin e municioneve shpërthyese dhe në mbështetje për emergjenca mjekësore dhe operacionale, ofruan ndihmë për Ministrinë e Mbrojtjes në vendin e shpërthimit, duke mbështetur ngritjen e Qendrës Operacionale, qendrës së medias dhe spitalit fushor, si dhe duke ndihmuar në bashkërendimin e operacioneve në vend”, thuhet në deklaratë.
Akuzat
Më pas raportet mes Berishës dhe ambasadës amerikane shkuan në skaj. Ish-ambasadori Xhon Uidhers akuzoi Berishën për sabotimin e hetimeve. “Reagimi i qeverisë ndaj tragjedisë së Gërdecit mbetet një prej dështimeve të saj më të mëdha. Nuk duhet harruar kurrë se në radhë të parë Gërdeci është një tragjedi njerëzore. Njerëzit humbën të dashurit e tyre, përfshirë fëmijët, në një ngjarje që mund të përshkruhet vetëm si një akt kriminal.
Është një përgjegjësi themelore e qeverisë që të garantojë që drejtësia të vihet ne vend dhe që viktimat e kësaj bëme të tmerrshme të shohin, që ata që mbajnë përgjegjësinë ligjore e morale për këtë krim, të japin llogari për veprimet e tyre. Por, qeveria shqiptare jo vetëm që ka neglizhuar zbardhjen e të vërtetës së Gërdecit, por në fakt, ka ushtruar në maksimum pushtetin e saj, për të mos lejuar që e vërteta të dalë në shesh”, ka deklaruar Uithers.
Meta: Berisha të japë dorëheqjen
“Dorëheqja e Kryeministrit Sali Berisha është gjithashtu e domosdoshme me qëllim që Prokuroria të ushtrojë detyrat e saj kushtetuese e të hetojë në mënyrë të paanshme dhe e pandikuar nga presionet e politikës. Në rast se Sali Berisha dhe qeveria e tij nuk japin dorëheqjen dhe nuk marrin përgjegjësitë për një katastrofë të tillë, ato do të vendosin precedentin më të keq, se në këtë vend mund të bësh gjithçka, mund të firmosësh me dorën tënde akte e vendime shkatërrimtare, mund të jesh përgjegjës edhe për katastrofa të këtyre përmasave, por mund të shpëtosh pa marrë asnjë përgjegjësi. Ndaj evidentimi i menjëhershëm i pandodhur deri tani, i të gjitha dëmeve pasurore e materiale dhe prezantimi i tyre nga shteti shqiptar pranë agjencive ndërkombëtare është urgjent, pasi më vonë do të bjerë interesi dhe vëmendja ndërkombëtare për këtë tragjedi dhe pasojat e saj”.
Ja si u shfajësua Berisha
“Të dhënat e para që kemi për ngjarjen janë shumë shqetësuese. Qeveria dhe ministria e Mbrojtjes janë në vendngjarje dhe me autoblinda po afrohen në shtëpitë përreth, ku nuk ka të dhëna se ka viktima. Ka qenë një proces çmontimi municioni nga një kompani, që ishte një firmë e kontraktuar për këtë proces, ndërkohë që sasia e municionit e vendosur për çmontim ka qenë e madhe. Nuk përjashtoi mundësinë e shpërthimeve të tjera, por jo me fuqinë e të parit, pasi kjo me sa duket ka qenë dhe pjesa e barutit. Kjo është një tragjedi shumë e madhe dhe e jashtëzakonshme. Qeveria është e vendosur për çdo lloj ndihme, por me sa duket bilanci është mjaft i rëndë. Punëtorët kanë qenë të kontraktuar nga kompania private dhe veprimtaria e saj është tërësisht ajo e një kompanie të specializuar në çmontimin e municioneve. Ka një sasi kolosale municioni që nga viti 1945 e këtej dhe një nga mënyrat për asgjësimin e tyre është çmontimi.”
Oketa: Situata është nën kontroll
“Situata është vënë nën kontroll dhe nuk ka asnjë të plagosur në rrezik për jetën. Janë rreth 50-60 të plagosur, të cilët janë shtruar në këtë spital, dhe që po u jepet ndihma e nevojshme, ndër ta vetëm dy pacientë paraqesin rrezik për jetën, pasi janë në gjendje më të rëndë dhe janë dërguar për në spitalin e Tiranës, ndërkohë që të plagosurit e tjerë kanë marrë plagë të lehta dhe janë duke marrë të gjithë ndihmën e nevojshme. Personeli mjekësor është vënë në gatishmëri të plotë, duke i ofruar ndihmën e nevojshme të lënduarve, madje për këtë qëllim kanë mbërritur autoambulanca dhe mjekë edhe nga Kavaja dhe Lushnja. I gjithë kabineti qeveritar është vënë në lëvizje, duke fluturuar me helikopter drejt vendit të ngjarjes me qëllim që t’i gjendet pranë personave të lënduar”, u shpreh z. Oketa.
Topi: Nuk ka vend për panik
“Kjo situatë natyrisht është e rëndë, por është nën kontroll. Ne duhet t’u krijojmë korridore të lira ambulancave, forcave të policisë, njerëzve që kanë nevojë dhe sigurisht, situatat e rënda dhe të vështira kalohen me një solidaritet, kalohen me një bashkëpunim, kalohen me qetësi. Në të tilla situata asnjëherë nuk duhet të krijojmë panik, situata është duke u kontrolluar nga të gjitha institucionet e shtetit. Ju jeni vetë dëshmitarë që të gjithë janë në këmbë, janë të motivuar që ta përballojnë këtë situatë hap pas hapi. Mendoj që nuk ka vend për panik, duhet patjetër qetësi. Ky është mesazhi im! Pastaj, për të gjitha të tjerat do të komunikojmë hap pas hapi edhe për takime midis institucioneve, por momenti i parë është që duhet të njihet situata. Është kjo një situatë e alarmit momental, që gradualisht do të qetësohet.”
Kabllogrami i Ambasadës Amerikane për ankesën e ushtarakëve
13 muaj pas shpërthimit, në 17 prill 2009, Ambasada Amerikane në Tiranë i nis një kabllogram Departamentit Amerikanë të Shtetit për Gërdecin, ku ndër të tjera i raporton se “Mendohet se në atë kohë, komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, i dërgoi një letër shqetësimi për të informuar “qeverinë” Berisha dhe ish- Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha kur zbuloi se kompania e Delijorgjit “Trans Digging Construction” po shkatërronte godinat në ish- repartin e tankeve në Gërdec pa asnjë leje të shkruar nga Ministria e Mbrojtjes.
Letra e tij nuk mori kurrë përgjigje apo ndonjë veprim. Përveçse ofroi më shumë prova se qeveria “Berisha” e kishte favorizuar në mënyrë ilegale Delijorgjin në vendimet për demontimin, historia nxjerr në pah përfshirjen e një tjetër personi nga orbita e ngushtë e Berishës- Balliu. Kur u përhapën fjalët e para për lidhjet e Balliut me Delijorgjin, Balliu mbajti një konferencë për shtyp në fillim të prillit për të mbrojtur veten…”. /S0T