E motra e vogël është ulur në një karrige dhe loton, i ati i rri tek koka. Gjyshi puth foton e ia vë sipër arkivolit. Kjo është lamtumira e fundit për 20-vjeçaren Anxhela Martini që u vra barbarisht në Itali.
Të veshur me të zeza, kokë ulur për fatkeqësinë dhe shpresëplotë se një ditë për të do bëhet drejtësi i shohim të gjithë rreth arkivolit të Anxhelës, siç duket nga pamjet që ka mundur të sigurojë për “BalkanWeb” gazetari Ervis Kuçi.
Sakaq fFamiljarët janë të pafuqishëm përballë kësaj fatkeqësie, e dyta në pak muaj (Anxhela humbi nënën 5 muaj më parë) por kërkojnë që për rastin e saj të bëhet drejtësi. Ata thonë se trupi i Anxhelës ishte i dëmtuar dhe me shenja, ndërsa akuzojnë autoritetet italiane se nuk kanë sjellë një ekspertizë për të mësuar shkaqet e vdekjes.
Pengu më i madh i tyre është se nuk dinë kush është autori i kësaj ngjarje. “Rashë nga makina”, ka mundur të thotë Anxhela mbrëmjen e 10 qershorit kur u transportua në spital, aty ku dhe mbylli sytë krejt e vetme.
Pjesën më të madhe të detajeve familjarët i kanë mësuar nga mediat italiane. Dritan Meçani, babai i Anxhelës konfirmoi për “BalkanWeb” pak kohë më parë se e bija ishte larguar nga Fieri me një djalë. Ajo më pas ishte martuar me një burrë të madh në moshë, por që nga ajo ditë nuk ishte kthyer kurrë në shtëpi, pasi nuk kishte dokumente. Madje e reja nuk kshte mundur të kthehej as 5 muaj më parë në Fier, kur iu nda e ëma nga jeta.