Kujtojmë sot 73 vjetorin e lindjes të aktorit Fadil Kujofsa. Nderim dhe respekt për figurën e tij!
Fadil Kujofsa (1951-2014). Lindi në Tirane, më 14 shkurt. Kreu studimet e larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve më 1974 dhe filloi punë në Televizionin Shqiptar, më pas më 1975 interpretoi në Teatrin e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 1978 ishte aktor në Teatrin Kombetar.
Spikati si aktor i planit komik e satirik. Kujofsa u dallua veçanërisht për karakterizimin e figurave qe vinin nga shtresat e ulëta shoqërore apo rangjet administrative.
Më 1978 krijoi shëmbëllimin e figurës së njohur të Shvejkut në komedinë e Gjikë Kurtiqit ‘Miq të paftuar’, nxitur nga romani i mirënjohur i Hashekut “Ushtari i mirë Shvejk”. Plastika, gjestet dhe mimika, të përpunuara me shije, krijuan gjasa që ky rol të vetëshprehej si duhej në epërsitë e mundshme të të dhënave natyrore të aktorit.
Po në 1978 interpretoi rolin e Hoxhë Qitapit në dramën “Besa e Madhe” të M. Markajt.
Një vit më pas luajti me vërtetësi rolin e kinezit Shun në dramën ‘Furrnalta’ të R. Pulahës, me të cilin spikati për shfrytëzimin me mprehtësi të dyplanësive, për plastikën shprehëse, qëndrimin tallës, ambiguitetin dhe sensin humoristik.
Më 1982 i dha jetë njërit prej roleve të tij me të goditur, atij të Sër Tobit në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, duke mishëruar tipin e fisnikut pijanec, ithtar epikurian, rrëmujaxhi, që i gëzohet jetës dhe qejfit me tepri, sikundër qesh e shpotit hidhtas “viktimat” e rangjeve të tij.
Me interpretimin e doktor Adhamudhit në komedinë “Pas Vdekjes” të A. Z. Cajupit (1984) ai arriti të krijojë plot bukuri skenike tipin e pseudointelektualit dhe pseudopatriotit shqiptar, duke shfrytëzuar me zgjuarsi elementet tjetëruese dhe kundërshtitë komike, plastikën shprehëse, një të folur prej megalomania që e diskreditonte paq krenarinë e tij “pseudo”-je.
Origjinal dhe i veçantë ka qenë edhe në interpretimin e rolit të Poçarit në dramën “Monsetrati” të Roblesë (1985), atë të prefektit Vehip në komedinë “Karnavalet e Korçës” të S. Çomores nga Teatri Kombetar (2003).
Fadil Kujofsa luajti role me trill e fantazi; ishte intuitiv, spontan dhe kishte nur komik. Ka interpretuar edhe në filma artistikë si dhe në disa filma televizivë, ku veçohet roli i Cukut tek “Dy Herë Mat” (1986), i fotograf Veliut te “Historiani dhe ‘Kameleoni” (1989). Interpretimi i fundit i Kujofsës ishte ‘Henri i Gjashtë’. Ndahet nga jeta në 30 tetor 2014 nga një sëmundje e rënde.