Sërishmi përballë lexuesve kryeqytetas Giuseppe Monforte. Nën pseudonimin Gianni Palagonia, me të cilin polici i anti-mafies njihet si autor, prezantoi këtë javë në Bibliotekën e Institutit italian të Kulturës romanin e tij të tretë të përkthyer në shqip.
“E kam shkruar këtë libër mbi Shqipërinë, pasi librat e mi, siç e dinë ata që më njohin, ndjekin jetën time profesionale dhe atë personale. Kështu që kam shkruar gjithçka që më ka ndodhur, disa gjëra janë trillime, por ka shumë pak të tilla.
Pra dhe ky libër i tretë përshkruan jetën time në Shqipëri. Unë vij këtu dhe ndodhin disa gjëra. Dhe në fakt ndonëse unë e kam shkruar, ky nuk është libri im, por është i shqiptarëve, sepse këtu janë edhe shumë histori që shumë prej jush më kanë treguar”, shprehet autori i librit, Giuseppe Monforte, për Report TV.
Me një jetë sa heroike në luftën me mafien, por edhe të rrezikuar nga krerët e krimit, në ’92 shin e transferojnë në veri të Italisë bashkë me familjen. La pas një Katania të shënjuar nga gjaku 100 policëve në vit.
“Kur erdhëm në Shqipëri ne duhet të hetonim mbi krime si trafiku i organeve, vjedhje apo drogë dhe duhet të rakordoheshim mbi to me policinë shqiptare. Pra informacionet tona shkonin tek anti-mafia italiane dhe anasjelltas“, shprehet më tej ai.
Jetën e tij ai nis e shkruan në faqet e librave një vit pas ardhjes në vendin tonë, që e shikonte të ngjashme me Siçilinë e fëmijërisë së tij. Njëherazi gjen një Shqipëri edhe me fenomene të panjohura si Kanuni, si dhe me njerëz të bukur e humanë.
“Kur erdha në Shqipëri isha pak i tronditur. Sepse duke ecur rrugës më duhej tu bërtisja kolegëve, kujdes puseta, kujdes se ka një gropë…, ishte e tillë situata atëherë siç e dini. Dhe kur mbërrita në shtëpi ‘shoku’ tjetër ishte se mungonin dritat dhe uji.
Mendova se ishte diçka momentale dhe u thashë kolegëve të mi: Epo mirë, mund të ndodhë! Jo më thanë ata, në fakt kështu është 8 orë në ditë.
Pra le të themi që mbërritja në Shqipëri ishte pak tronditëse…, por pastaj dalë nga dalë njoha pronaren time të shtëpisë dhe nisa të marrë frymë lirisht. Një njeri i mrekullueshëm që për fat të keq nuk jeton më, por që u bë si nëna ime e dytë.”, tregon Monforte.
Giuseppe Monforte është përfshirë në disa operacione të rëndësishme të Cosa Nostrës në Itali. Fillimisht e ruajti të fshehtë identitetin e tij si autor, ndërsa tani gëzon kontaktet e drejtpërdrejta me lexuesin. Në Shqipëri, ai ka krijuar familjen e tij dhe thotë se ndihet si në shtëpi.