Dy të rinj janë arrestuar në Elbasan në tentativë për të trafikuar një kallashnikov dhe 114 fishekë drejt Maqedonisë së Veriut.
Siç shihet edhe në këto pamje që sjell Shqiptarja.com, dy të rinjtë 21 dhe 22 vjeç, janë rrethuar nga forcat operacionale. Me kallashnikovë dhe armë në duar forcat operacionale kanë rrethuar makinën tip ‘Audi’ të bardhë që po lëviznin të rinjtë dhe kanë bërë të mundur arrestimin e tyre.
Në makinë u është gjetur 1 armë zjarri kallashnikov dhe 114 fishekë luftarak që dyshohet se do i trafikonin drejt Maqedonisë. Në pranga kanë rënë drejtuesi Sali Meçi, 21 vjeç, dhe pasagjeri Amarildo Muha, 22 vjeç, të dy banues në Divjakë.
Po në Elbasan u zhvillua një tjetër operacion që çoi në pranga një 28-vjeçar, Edmir Albrahimi. Ky i fundit është kapur në fshatin Rrajcë, Prrenjas, teksa lëvizte me drogë në makinë. Edhe ai dyshohet se do trafikonte në Maqedoninë e Veriut 2 qese me rreth 27.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.