Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se do të depozitojë sot në Prokurori foton që publikoi dje në Kuvend, në të cilën pretendonte se ishte vëllai i një prej kushërinjve Vladi të shpallur në kërkim për 3.4 milionë eurot kontrabandë, me kryetarin e Partisë Demokratike.
Në një postim në Facebook, Balla dënon heshtjen e Bashës, duke u shprehur: “Lulzim Basha nuk paska as turp as minimumin e dinjitetit! Dje në Kuvend u bë publike një prej provave që e penalizon rëndë Kryetarin e Partisë Demokratike për lidhjet e drejtëpërdrejta me personat e shpallur në kërkim A.V. dhe E.V”.
Balla pretendon se Basha jo vetëm që është i lidhur ngushtë me vëllain e njërit prej personave në kërkim nga Policia, por ai duhet të sqarojë publikun për tre pyetjet e mëposhtme:
“-A ke njohje personale ti Lulëzim Basha edhe me personat e shpallur në kërkim?
-A kanë qenë ata financues të Partisë Demokratike në aktivitete politike të saj?
-A bëjnë pjesë këta persona në një anturazh të ngushtë të Lulëzim Bashës?”
Sipas Ballës, përpjekja e sotme e PD që shpifjen ta kthejë në qëndrim zyrtar të Partisë Demokratike, për ta përdorur si alibi në procesin gjyqësor, nuk e shpëton dot Lulzim Bashën./dita