Sot është ditëlindja e aktorit Artur Gorishti i cili feston 62 vjetorin e lindjes. I urojmë nga zemra edhe shumë vite të tjera.
Aktori Artur Gorishti lindi në Tiranë, më 21 shkurt 1962. Kreu Institutin e Lartë të Arteve për aktor në vitin 1984. Qysh student interpretoi një nga rolet e tij më të bukura, Besimin, në filmin “Dora e ngrohtë” (1983).
Nëpërmjet një loje të natyrshme, pa sforco, me përjetime të brëndshme psikologjike, duke shfrytëzuar në mënyrë racionale heshtjet emocionale, nënkuptimet, druajtjet dhe dilemat, ai i dha këtij roli përmasa humane, si dhe një dhembshuri prekëse. Aktrimi i tij shquhet për sigurinë dhe organicitetin përpara kameras.
Ka një sy të trishtë, të ngulur, ku buhit mendimi dhe merr formë dyzimi shpirtëror. Anon nga natyrat pezmatike e melankolike, por, jo rrallëherë, u jep trajtë ekspresive edhe natyrave dramatike e nevrotike. Qetësia e brendshme e tij shfaqet rëndom si një asociacion i vrullimeve psikike që kamuflohen nga jashtë, dhe në çaste të caktuara, kjo skemë aktrimi thyhet befasisht nga shpërthimet e vrullshme.
Eshtë aktor i parapëlqyer ndaj tipologjisë së roleve pozitive, njerëzve me mbarsje shpirtërore të mbrothëta, të virtytshëm, të rinj, të dashuruar, partizanë e luftetarë vetëmohues, por nuk ka lënë pas dore edhe role me tjeter natyrë, sikurse kanë qënë ata në filmat si; “Militanti”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Tre njerëz me guna”, “Kronikë e atyre viteve”, “Në emër të lirisë”, “Nxënësit e klasës sime”, “Këmishat me dyllë”, “Vitet e pritjes”, “Dasma e Sakos”, “Unë, ti dhe Kasandra”, “Tirana viti 0” etj.
Cilësi të tilla u panë edhe në rolin tjetër të bukur të tij, Andreas, në filmin “Slogans” (Parullat, 2001), ku arriti të shpërfaq me inteligjencë pozitën e vështirë të njeriut nën trysninë e dhuntimit të të drejtave, vuajtjen dhe pamundësinë e realizimit të dashurisë, duke pranuar kompromisin dhe pershtatjen me të keqen për mbijetesë.
Aktorin e njohur Artur Gorishti mori rolin kryesor pas 7 vitesh mungese në Shqipëri në filmin “Bota”. Aktori Artur Gorishti, prej vitesh jeton në Montreal-Kanada mes pikturës dhe kunematografisë.