Kryetari i grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u pyet nga Ylli Rakipi se çfarë do të bëjë opozita e drejtuar nga Sali Berisha që nuk ka vulë dhe simbolet e partisë, pasi ato i ka Lulzim Basha. Por Bardhi tha se ky nuk është problem, sepse çështja do të zgjidhet dhe nuk ka asnjë pengesë për PD-në për të hyrë në zgjedhje.
Ylli Rakipi: PD-ja ka edhe një problem të madh tani, që Edi Rama e ka marrë vulën dhe ia ka dhënë Lul Bashës. Ju jeni pa vulë, d.m.th. siç thotë ajo të humbtë vula ose vulëhumbur. Çfarë do të bëni tani?
Gazment Bardhi: Më mirë të të humbë vula se sa të të humbin ose vdesin anëtarët. Ne na duhen anëtarët, na duhen njerëzit. Me vulë unë di 130 e ca parti politike në Shqipëri që kanë edhe vulë edhe bojë, e hedhin herë pas here kur kanë nevojë për t’u regjistruar në zgjedhje, e lyejnë, e vulosin dhe e regjistrojnë.
Ylli Rakipi: Nuk ka rëndësi kjo marrja që u është bërë ju?
Gazment Bardhi: Çështja do të zgjidhet. Nuk ka asnjë pengesë për Partinë Demokratike të bashkuar për të hyrë në zgjedhje. Është një çështje që është zvarritur gjatë dhe e shfrytëzoj edhe këtë hapësirë televizive për t’u bërë thirrje 3 anëtarëve të Gjykatës së Lartë që kanë marrë vendim, ta zbardhin atë, se nuk është një çështje që mund të lihet në harresë, por një çështje që ka lidhje me gjysmën e popullit shqiptar, dhe gjyqtarët duhet të tregohen të përgjegjshëm.