Punonjësi i Gardës së Republikës Shkëlzen Qordja, shofer i ministrit Xhafaj u gjet i vdekur sot në garazh, ndërsa policia deklaroi se nga hetimet e para dyshohet se ka vrarë veten.
Sipas policisë, Qordja është vetëvrarë me armën e shërbimit automatik MP5. Automatiku MP5 përdoret prej pak vitesh nga Garda e Republikës.
“Nga veprimet e para hetimore rezulton se në mjetin e Gardës u gjet i pajetë, i ulur në sediljen e shoferit, punonjësi SH.Q. Makina ishte e parkuar në garazhin e caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, i cili u gjet i mbyllur nga brenda. Nga kqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë.
Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit” , shkruhet në njoftimin zyrtar.