Sot mbushen 6 vjet që është ndarë nga jeta aktori dhe regjisori Lisenko Malaj. Nderim dhe respekt për figurën e tij!
Lisenko Malaj, (1952-2018). Aktor dhe regjisor filmi. Lindi në Vlorë, më 3 dhjetor. Kreu Institutin e Lartë të Arteve, dega e artit dramatik. Luajti rolin e Lonit në kinokomedinë muzikore “Karnavalet” (1980).
U njoh më fort si regjisor i ri me të dhëna premtuese, të cilat u dëshmuan fillimisht në dokumentarin e tij të parë “Pranvera dy hapa pranë” (1985), fitues i çmimit të tretë në Festivalin VI të Filmit Dokumentar dhe Vizatimor.
Morën trajtë në filmin e parë artistik “Tri ditë nga një jetë” (1986), për të mbërritur në filmin dramatik “Misioni përtej detit”, ku sillet një subjekt interesant nga koha e luftës, zbulimi dhe arrestimin e një tradhëtari të arratisur në shtetin fqinj të Greqisë.
I një dimensioni psikologjik është filmi i tij i fundit “Vdekja e burrit” (1990), nëpërmjet të cilit sillet përjetimi i një ambasadori të dalë në pension, në përsiatjet, zhgënjimet , shpërfilljen, vetëmbytjen dhe vetminë e tij.
Lisenko Malaj ndahet nga jeta në 3 mars 2018 në moshën 66-vjeçare në Itali, pasi vuante nga një sëmundje e rendë.