Skena e re teatrale, “Turbina” do të çel dyert në datën 2 korrik.
Kryeministri Edi Rama, ka uruar mirëmëngjesi me pamjet e teatrit të ri të transformuar.
“MIRËMËNGJES , dhe me këtë dëshmi të mjaftueshme për këdo që ka sy dhe do të shikojë, ndërkohë që më e mira është ende e gjitha përpara nesh, ju uroj një të diele të bukur”, shkruan Rama.
“Turbina”, është ndërtuar në mjedisin e rrënuar të ish-Laboratorit të Hidrologjisë, në Tiranën e Re, pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.
Kryeministri e ka cilësuar këtë qendër të re arti si “një hapësirë të re ultramoderne për artin e kulturën skenike, e cila do të mbushë më tej boshllëkun e tmerrshëm që krijuan vitet e gjata të rrënimit të vazhdueshëm të infrastrukturës kulturore e të jetës artistike”.
Deri në ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, projektligji për të cilin është miratuar vetëm pak ditë më parë nga qeveria, “Turbina” do të jetë vendi ku institucioni do të realizojë projekte e tij.