Dalin në dritë të tjera detaje nga dosja e vrasjes së Azem Hajdarit. Shumë shpejt Izet Haxhia do të dërgojë në apel kërkesën e tij dhe gjykata aty do të rifillojë procesin, por këtë herë situata do jetë ndryshe. Në periudhën kur u vra Hajdari, sistemi gjyqësor njihej për ndikimin politik dhe Izet Haxhia pretendon se hetimet për Hajdarin nuk ishin të sakta. Shpresat janë se tani situata do jetë ndryshe, duke qenë se në sfond është reforma në drejtësi, e cila ka filluar t’i bëjë më të përgjegjshëm gjyqtarët e prokurorët. Gazeta ka siguruar të tjera detaje nga dosja hetimore. Ajo që ka ngjallur dyshime është se të gjithë politikanët që mund të kenë pasur dijeni për ngjarjen kanë refuzuar dëshminë. Më 12 shtator 1998 në mbrëmje, në selinë e PD ishin 21 persona dhe asnjë prej tyre nuk shkoi në prokurori apo në gjykatë të jepte dëshminë e tij. Mes tyre është ish-kreu i PD në atë kohë, sot deputet i saj, Sali Berisha. Gazeta ka mësuar se Sali Berisha u thirr në prokurori dhe në gjykata gjatë gjithë procesit gjyqësor plot 56 herë. Duhet theksuar se procesi gjyqësor pati shumë faza, ku pati ankimime në Apel, Gjykatën e Lartë, etj. Në të gjitha rastet, gjykata kërkuan dëshminë e Berishës, por ai i refuzoi që të gjitha. Ashtu siç Izet Haxhia e ka deklaruar në seancat gjyqësore, Berisha do të jetë personi i parë që do kërkohet që të thirret për të dëshmuar, mbi atë se çfarë ai ka parë, çfarë ai di. Duket thënë se ish-kryeministri në disa dalje ka treguar se ka pasur informacione. Ishte ai që akuzoi Jaho Mulosmanin si autor të ngjarjes dhe po ashtu dhe një dëshmi në ambasadën amerikane për të gjithë këtë ngjarje. Gazeta ka mësuar se avokati i Izet Haxhisë shumë shpejt do kërkojë në gjykatë që personi i parë që duhet të thirret është Sali Berisha. Po ashtu do të thirren dhe emra si Jozefina Topalli, Genc Pollo, Jemin Gjana, etj. Vrasja e Hajdarit është cilësuar si vrasja e shekullit dhe ajo fare thjesht mund të zbardhej nga dëshmitarët. Dëshmitari kyç ishte Zenel Neza, truproja i Azem Hajdarit. Ai nuk dëshmoi se kush ishin autorët. Po ashtu Berisha është një ndër ata që ishte në selinë e PD atë ditë. Gazeta ka mësuar se atij i janë dorëzuar të gjitha thirrjet dhe ai nuk ka pranuar të shkojë në asnjë gjykatë dhe asnjë prokurori. Kjo rrit akoma dhe më shumë pikëpyetjet.
Ja si ndodhi vrasja e Hajdarit
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, pak metra larg selisë së PD-së në kryeqytet. Nga breshëritë e plumbave gjeti vdekjen dhe truproja i tij, Besim Cera nga Dibra. Për vrasjen e ish-liderit të dhjetorit u akuzuan Jaho Mulosmani si dhe tre vëllezërit, Izet, Ismet dhe Isamedin Haxhia, njerëz që qëndronin shumë pranë kryeministrit Berisha. Prokuroria në atë kohë pretendonte se ish-truproja i kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia, telefonoi Hajdarin dhe e nxori nga zyra e tij, ku dhjetë minuta më pas e ekzekutuan në pritë, ndonëse një moment i tillë mbetet realisht i paqartë. Në një proces gjyqësor maratonë u cilësuan fajtorë Mulosmani, i cili u dënua përjetë si dhe dy vëllezërit Izet e Ismet Haxhia, që u dënuan përkatësisht me 25 dhe 20 vitet heqje lirie. I treti i vëllezërve Haxhia, Isamedini u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje. Edhe pse dosja u mbyll me ndëshkimin e tre personave, asnjëherë nuk u tha motivi i vërtetë se përse u ekzekutua Azem Hajdari. Gjykata u mjaftua vetëm me faktin se u vra për hakmarrje. /Sot news