Panajot Pano (7 Mars, 1939 në Durrës — 19 janar, 2010 në Jacksonville, Florida, ShBA) ishte futbollist shqiptar dhe mbahet si një legjendë në futbollin shqiptar.
E fillon karrierën e tij sportive me 12 vjeç në skuadrën e të rinjve të SK Tirana si portier. Më vonë në vitin 1959 mbasi emërohet në ushtri luan për skuadrën e KF Partizani si sulmues. Me këtë lojtar në gjirin e tij KF Partizani fiton katër herë kampionatin kombëtar dhe pesë herë kupën e Republikës. Panajot Pano luajti 25 herë për skuadrën kombëtare. Në vitin 1970 skuadra kombëtare fiton kupën e Ballkanit. Mbas vitit 1975 ai stërviti si trajner ekipin kombëtar dhe atë të të rinjve të KF Partizani.
I pajisur me një teknikë të përsosur driblimi, ai ishte një nga lojtarët më të mirë të kombëtares së futbollit. Në vitin 2003 me rastin e jubileut të UEFA-s u zgjodh si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave nga Federata Shqiptare e Futbollit [1].
Më 27 prill 2005 merr titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu. Ai vdiq me 19 janar të vitit 2010 në Jacksonville, Florida, SHBA nga një atak kardiak.
Pak pjesë të shkëputura nga tregimi i gjatë i gazetares italiane Mariaclaudia Catalano/ Panajot Pano, la divinità mistica dei Balcani
I shpejtë si shigjetë, rezistent dhe i fortë në të njëjtën kohë, aq shumë sa t’i garantonte një force shumë të madhe. Cilësia e fundit dhe më e rëndësishme, kembët magjike. Prekje e lehte dhe elegante kur duhej,e dhunshme dhe potente në momentin e duhur. Pano cilësohej nga telekronistët si “Puskasi i vogël”. Një krahasim që do t’i përshtatej më së miri, po të mos ishte për atë “I vogël”.
“Pele dhe Eusebio janë lojtarët më të mirë në botë, por Panajot Pano është lojtari më fortë që ka luajtur ndonjëherë në këtë stadium” tha Mysmim Bey, pronari i Fenerbahce, pas një ndeshje të Panos atje. Fenerbahce dhe shumë klube të tjera europiane donin ta transferonin por Pano nuk levizi nga Shqipëria edhe pse kundër dëshirës së tij.
Kaiseri po flet, Panajoti fliste në fushë, me disa performanca fantastike me kombëtaren shqiptare. Filloi të lunate vonë me përfaqësuesen ballkanike, por kaq I mjaftoi për ta treguar veten. Ishte një emocion i pabesueshëm kur veshi për herë të parë fanelen e kombëtares kundër Bullgarisë në 1963-shin.
Pastaj, dy ndeshjet që do ngelën në memorien e tij përgjithmonë. Fitorja 1 – 0 kundër Danimarkës me golin e tij të parë për kombëtaren dhe 0 – 0 në Tiranë kundër Gjermanisë Perëndimore në 1967, në një ndeshje për kualifikueset e Europianit. Një ndeshje me një rezultat jo të drejtë, që duhet vlerësuar jo vetëm nga mungesa e golave. Shqipëria në fakt e dominoi atë ndeshje.
“Ne e fituam atë ndeshje, e dinim, Gjermania dhe arbitrat e dinin, edhe pse tabela tregonte 0 – 0” tha Joti, që pas asaj ndeshje filloi të vlerësohej akoma më shumë në arenën ndërkombëtare. “Askush në shtetin tim dhe në Europë nuk di ta trajtojë topin si ai” ka thënë pas asaj ndeshje Ëilli Schulz, mbrojtës legjendar i Gjermanisë në vitet ’60 – ’70. I shokuar ngeli edhe Franz Beckenbauer. “Edhe nëse Pano në të ardhmen nuk do të më mbante mend, unë do ta mbaj mend gjithmonë” tha Kaiseri me një admirim të dukshëm.
Krenaria e shqiponjave
Dhe nuk ishte i vetmi që do kujtohej për Jotin. Në vitet 2000, UEFA e cilësoi si ‘Futbollistin shqiptar të shekullit’’. Në Shqipëri u kthye në idhull. “Nder i kombit” ishte titulli qe iu dha për herë të parë një sportisti nga duart e presidentit të asaj kohe, Bamir Topi.
Sa bukur do ishte të mund ti kërkoje edhe një herë të na tregonte për karrierën e tij, golat dhe momentet më të bukura, edhe pse jo aq të bujshem si ata të Maradonës, Pele apo Platini. Sa keq që nuk mund të na përgjigjet më. Joti nuk jeton më. U nda nga jeta 6 vite më parë, i përshëndetur nga më shumë se 100 mijë persona në Tiranë, për t’i treguar dashurinë e tyre. Dhe kështu, ky fenomen do të ngelet i mbuluar nga një hije misteri që e bën akoma edhe më të pavdekshem. Si një perëndi. Perëndia mistike e Ballkanit. /Shqipet.al
Marrë me shkurtim nga orgjinali: Linkut poshtë në italisht
https://www.contra-ataque.it/2017/03/15/panajot-pano-divinita-balcani.html