Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi sot pas lajmit se Shqipëria kalon në fazën e dialogut të pasmonitorimit nga Komiteti Monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Hasani tha se pas 29 vitesh të gjata nën monitorim, Komiteti Monitorues i CoE-PACE ka vendosur të mbështesë unanimisht kalimin e Shqipërisë në fazën e dialogut.
Ministri theksoi se, ky vendim është një tregues i qartë i progresit të konsiderueshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Ai shtoi se ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të përmirësuar më tej standardet demokratike, ndërsa përparojmë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën evropiane.
Postimi i Hasanit:
Pas 29 vitesh të gjata nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë Organizatë në vitin 1995, Komiteti Monitorues i CoE-PACE ka vendosur të mbështesë unanimisht kalimin e Shqipërisë në fazen e dialogut të postmonitorimit.
Ky vendim është një tregues i qartë i progresit të konsiderueshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të përmirësuar më tej standardet tona demokratike, ndërsa perparojme në mënyrë të qëndrueshme në rrugën evropiane që qytetarët shqiptarë meritojnë.