Nga Dritan Hila
Çështja e detit është hapur edhe një herë duke shkaktuar furtunë në opinion, ku si gjithmonë ata që dëgjohen më shumë janë tifozët, dhe në rastin shqiptar, ndodh që si tifozët ashtu edhe cheerleaders (udhëheqësit e tifozëve në futbollin amerikan), nuk dinë shumë gjëra.
Madje ju mjafton zjarri i partisë se nuk dinë fare. Dhe kjo është sëmundje dypalëshe.
Ishtë simpatik momenti gjatë dëgjesës në komision të ministrit Bushati i cili nuk shpjegoi asgjë, kur një vajzë deputete e PS, në stilin Laje, lavdëroi punën e lavdërueshme të tij dhe ftoi kolegët e opozitës t’i bashkoheshin.
Ndërkohë opozita vazhdon vijën politike se Berisha nuk gaboi por nuk e kuptoi populli, dhe ka dy linja ku njëra thotë se socialistët shitën më shumë sesa dha Berisha, dhe linja tjetër që pretendon se jo vetëm shitën por humbën 5 vjet në marrëdhëniet dy palëshe.
Këtyre iu është përgjigjur Rama me stilin e zakonshëm provokativ, i cili i ka satirizuar, duke iu thënë se duhet të presin dhe do të turpërohen.
Por le të përpiqemi të bëjmë një analizë. E gjithë furtuna nis nga deklarata e Kotzias në televizionin grek ERT se Shqipëria njohu të drerjtën e Greqisë për 12 milje ujëra territoriale.
Ky është një veprim normal i Shqipërisë nëse do të futet në BE dhe mbi të gjitha si nënshkruese e konventës së UNCLOS apo e njohur me emrin e vendnënshkrimit, Konventa e Montegobay.
Por errësira që po mbulon bisedimet nuk sqaron nëse edhe Greqia ka njohur këtë të drejtë tonë për 12 milje ujëra territoriale?
Deri këtu nuk ka shitje territori, por e shumta mungesë reciprociteti nëse edhe grekët nuk kanë njohur të drejtën tonë për 12 milje ujëra territoriale.
Por le të kthehemi në marrëveshjen e shkuar detare. Gjithë problematika e saj ishte vija ndarëse aty ku ujërat që ndajnë tokën shqiptare nga ajo greke është më pak se 24 milje. Në këtë rast bëhet fjalë për ngushticën e kanalit të Korfuzit.
Gafa e palës shqiptare në këtë pikë qëndron në faktin se shfuqizoi ligjin e vitit 1976 që e njihte Gjirin e Sarandës si gji të brendshëm, dhe kështu vija bazë e territorit shqiptar nuk kalonte në segmentin që bashkon ekstremet e gjirit të Sarandës por në vijën e bregdetin shqiptar. Problemi që vazhdon dhe mbetet, është se qeveria Rama ende nuk ka bërë një ligj që e ripërkufizon Gjirin e Sarandës si ujëra të brendshme. Dhe kjo shkakton probleme në negocimin e ardhshëm dhe ngre dyshime. A e ka njohur pala greke si ujëra të brendshme shqiptare këtë gji? Në të shkuarën vetëm për këtë pakujdesi ne humbisnim 34 km2.
Pika e dytë dhe më problematikja lidhet me faktin sesi do të konsiderohej ishulli i pabanuar Barketa si territor mbi të cilin do kalonte vija bazë?ë Në marrëveshjen e shkuar u konsiderua si e tillë, pavarësisht se mënyra e interpretimit është e ndryshme. Gjithsesi mbetet për t’u parë sesi do të sillet në të ardhmen pala shqiptare për ato pika ku dy brigjet respektive janë më pak se 24 milje nga njeri-tjetri.
Deri tani me njohjen e të drejtës greke për ujëra territoriale deri në 12 milje, Shqipëria nuk ka bërë ndonjë hap që e kompromenton. Kjo njohje mund të ketë probleme si precedent në mardhëniet turko-greke të cilat kanë probleme me vijën detare ku pala turke nuk i njeh më shumë se 6 milje fqinjëve të saj, dhe njohja shqiptare nuk besoj t’i ketë ardhur për mbarë. Por kjo është temë e gjerë. Por lidhur me marrëveshjen aq të përfolur, dhe të hedhur pushtë nga Gjykata Kushtetuese, Ministria e Jashtme nuk ka kompetenca ta rinegociojë pasi ajo është e vdekur. Ka të drejtë vetëm të fillojë një negocim të ri, por për këtë i duhen mandatet e caktuara ligjore të cilat nuk i ka. Ndaj ende nuk ka nevojë për panik. Deri tani bëhet fjalë për ujëra që nuk na takojnë. Por edhe errësira informative duhet të marrë fund një orë e më parë, pasi edhe kështu ka mjaft tension./dritare.net