“Rapiscan Systems” fitoi një kontratë 15 vjeçare në prill 2013, teksa qeveria shqiptare deklaroi se do forconte kufijtë e saj dhe të ndalonte trafikun e drogës, duhanit, armëve si dhe atë të qenieve njerëzore.
Ky koncesion u kundërshtua nga kompanitë e biznesit për shkak të tarifave të larta dhe u anulua nga Shqipëria, pas zgjedhjes së Edi Ramës si kryeministër në shtator 2013.
Pas anulimit të koncesionit, Rapiscan Systems iu drejtua arbitrazhit ndërkombëtar në gusht 2014, duke kërkuar 350 milionë dollarë dëmshpërblim nga Shqipëria.
Çështja i kaloi Avokaturës së Shtetit, ndërsa qeveria shqiptare kontraktoi firmën Omnia Strategy për të fituar çështjen në arbitrazh.
Tre muaj më vonë qeveria vendosi të heqë dorë nga arbitrazhi dhe të zgjidhë me marrëveshje konfliktin me kompaninë Rapiscan.
Më 5 qershor 2015, Këshilli i Ministrave dorëzoi në Kuvend marrëveshjen e rinegociuar të koncesionit, në relacionin e së cilës thuhet se “vlera e kontratës është ulur nga 316 milionë në 210 milionë euro”.
Opozita u ankua në debatin për miratimin e kontratës së rishikuar, duke deklaruar se sipas tyre Shqipëria humbet më shumë para se sa nga marrëveshja fillestare.
DITA ka shkruar më herët se pak ditë para se ish kryeministri Berisha të linte zyrën e tij, janë shitur 49 për qind e aksioneve të këtij koncesioni.
Dhe kjo shitje është bërë për një shumë qesharake prej 500… lekësh.
Rapiscan dhe kompania ICMS kanë lidhur një marrëveshje ku transferohen 49 për qind e aksioneve në datën 16 shtator 2013.
Kompania ICMS ka blerë 49 për qind të aksioneve të këtij koncesioni, që kushtonte 316 milionë dollarë, për vetëm 490 lekë.
Mund të dukej një fakt i pabesueshëm që aksionet miliona dollarëshe të jenë shitur për… një pica.
Ministri i Financave e pranoi në Parlament se një gjë e tillë ka ndodhur, por për shkaqe të “kopsitjes” që kontratës nga qeveria e kaluar, kanë qenë të pafuqishëm për të reaguar.
“Ne nuk e fshehëm që kishim për objektiv anulimin e kontratës, duke patur dijeni për këto. Por, është bekuar në mënyrën më të mirë të mundshme kontrata”, u shpreh lidhur me këtë fakt kreu i financave, Cani.
Në ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit rezulton se, aksioneri i vetëm i ICMS është mjeku Olti Peçini.
Po kështu në shpjegimin e aktivitetit të saj tregtar, kompania figuron se është me barrë siguruese nga Banka Kombëtare Tregtare dhe nuk lejohet të transferojë aksionet e saj pa lejen e kësaj të fundit.
Peçini është mjek dhe një prej drejtuesve të një spitali privat në vend.
Një logjikë e thjeshtë të kërkon që veç shumës qesharake të blerjes së aksioneve, mjeku nuk mund të jetë në mënyrë të drejtpërdrejtë i përfshirë në këtë marrëdhënie koncesionare.
Shto dhe këtu faktin që shitja e mundshme e aksioneve është bërë në ikje e sipër të qeverisë së kaluar, shton mundësitë që të jenë të tjerë njerëz, pushtetarë të djeshëm dhe opozitarë të sotëm pjesë e këtij koncesionari./BIRN