Ndërsa policia ka përqëndruar forcën më të madhe në luftën kundër prodhimit dhe shpërndarjes së narkotikëve, statistikat e krimit për muajin janar të këtij viti janë të frikshme. Nëse do t’ju referoheshim ngjarjeve të rënda kriminale, gati çdo ditë e këtij muaji ka prodhuar ngjarje tronditëse.
1 Janar
Janari i 2018-ës nisi që në minutat e para me një vrasje. 16 vjeçari Kejdi Gjeta gjeti vdekjen nga një plumb në kokë ndërsa kishte hipur në tarracën e banesës së tij në fshatin Sanxhak për të hedhur fishekzjarret. Policia arrestoi një ditë më vonë tre të rinj nga Kurbini pasi gjatë ndërrimit të viteve kanë qëlluar me automatik në zonën ku u gjet i vrarë 16 vjeçari.
6 Janar
Një shpërthim tritoli ka ndodhur mbrëmjen e 6 janarit në qytetin e Vlorës. Sipas informacioneve tritoli është vënë në katin e parë të një mobilerie dhe për fat të mirë nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Për këtë ngjarje policia ende nuk ka autorë.
6 Janar
Po gjatë mbrëmjes së 6 janarit, një çift që po udhëtonte me makinë është rrahur dhe me pas grabitur nga disa persona me maska në qytetin e Korçës. Sipas të dhënave autorët, nën kërcënimin e armës kanë nxjerrë nga makina një 23-vjeçare dhe kanë goditur me sende të forta shoferin e automjetit. Kjo ngjarje mbetet ende mister kush ishin autorët, ndërsa policia ka vendosur shpërblimin në shumën 2 milionë lekë për personat që mund të kenë informacion që do të çojë në zbardhjen e ngjarjes.
8 Janar
E hënë 8 janar 2018, punonjësi i zjarrfikëses godet me makinë 3 persona. Ngjarja u klasifikua si hakmarrje. Vladimir Topjana, me një mjet fuoristradë, të cilin ai e drejtonte, ka goditur mjetin tip golf shtetasin Artan Gega, i cili ka qenë në mjet se bashku me babanë dhe xhaxhanë e tij. Fatmirësisht nuk ka pasur pasoja për jeten e përsonave që ndodheshin në makinë. Burime nga policia bëjnë të ditur se Topjana dhe Gega para një viti kishin konflikt të shkaktuar për motive të dobëta në fshatin Lumarh ku dhe jetonin.
13 janar
Në Shkodër, një shpërthim i fuqishëm tritoli në Lagjen “Rus” la të plagosur 8 persona, mes tyre dhe shënjestrën e dyshuar të atentatit Lulzim Kullaj. Ngjarja ndodhi mesditën e 13 janarit ku 500 gramë eksploziv ishte vendosur në një motoçikletë të parkuar vetëm pak metra larg komisariatit ku po kremtohej 105 vjetori i krijimit të Policisë Shqiptare. 42 vjeçari i plagosur, nuk është një emër i panjohur për policinë. Hetuesit thanë se ai është person me precedentë të theksuar kriminalë kryesisht në gjobëvënien ndaj bizneseve. Ende nuk ka një emër konkret si autor të dyshuar.
14 janari
Në Tiranë, vritet në atentat Emiljano Boçi. 32 vjeçari ka qenë në Hollandë dhe Gjermani dhe kishte pak kohë që ishte kthyer. Dyshohet se atentati është kryer për pazare të prishura të drogës, por po hetohet edhe pista e hakmarrjes. Viktimës i është bërë atentat edhe në vitin 2010 në Selitë, ku mbeti i plagosur dhe u arrestua.
15 janar
Një shpërthim me tritol ka ndodhur në lagjen “Kastriot” në rrugën nacionale Fushë-Krujë-Krujë. Sasia e tritolit ishte vendosur në dyqanin e detergjenteve që përket shtetasit me iniciale E.Xh. Kjo nuk është hera e parë që në këtë dyqan ndodh shpërthim me tritol, pasi edhe 2 muaj më parë i është vendosur lëndë eksplozive.
15 janar
Në zyrën e Hipotekës në Tiranë vidhet me armë filiali i një banke. Policia zotëron fotot, por edhe filmime të marra nga kamerat e sigurisë, por ende nuk ka bërë publik emrin e personit.
21 janar
Në Vlorë, Salkie Hoxhallari, 73 vjeç, dhe Olsi Hoxhallari, 43 vjeç, nënë e bir u gjetën pa jetë në banesën e tyre, që ishte shkrumbuar nga flakët. Fillimisht u mendua se ngjarja kishte ndodhur nga rrjedhja e bombulës së gazit, por më pas ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se në trupat e viktimave ka shenja dhune.
21 janar
Po në 21 janar, në mesditë, në Tiranë Aldison Belulaj qëllon për vdekje Ariela Muratin, dhe më pas tenton vetvrasjen me një plumb në kokë. Policia e klasifikoi ngjarjen si krim pasioni, por dyshohet që krimi të jetë kryer pas refuzimeve të vajzës për të pranuar lidhjen e autorin e vrasjes. Një javë më pas edhe Aldison Belulaj ndërroi jetë në spitalin e traumës.
23 janar
Në Levan të Fierit, grabitet një pikë e këmbimit valutor. Nën kërcënimin e armëve, dy persona të maskuar pasi kanë dhunuar punonjësin e pikës së këmbimit valutor, kanë marrë rreth 50 mijë lekë të rinj.
28 Janar
Një tjetër ngjarje tragjike . Një sherr në familje ka përfunduar me një viktimë në Koplik të Malësisë së Madhe. Sipas hetimeve Ylber Bajrakurtaj ka vrarë me sëpatë bashkëshorten e tij Lumturie Bajrakurtaj pas një debati. Mjekët thanë se dy të moshuarit trajtoheshin për çrregullime mendore.
29 janar
Në kryeqytet, 41-vjeçarit Devi Kasmi u qëllua me pesë plumba vetëm pak metra larg godinës së Shërbimit Informativ Shtetëror, në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë. Burime nga policia bëjnë me dije se personi i dyshuar për vrasjen e 41 vjeçarit është Domart Konjari. Konjari ka pasur një konflikt të hershëm me viktimën për një ngjarje në Spanjë”. Rtsh.