Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian miratoi të martën raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në territorin e Kosovës.
Raporti, i përpiluar nga deputeti slloven, Matjazh Nemec, u miratua me 34 vota për, 7 kundër dhe 12 abstenime.
Votimi i sotëm është një hap drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave serbe.
Këto pasaporta i lëshon Drejtoria Koordinuese në Beograd, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Liberalizimi i vizave për qytetarët që posedojnë pasaporta biometrike të Kosovës, ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti.
Propozimin për t’ua hequr vizat edhe bartësve të pasaportave serbe në Kosovë, e ka dhënë Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar, duke argumentuar se me një vendim të tillë, të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të përfshiheshin në procesin e liberalizimit të vizave.
Përveç qytetarëve të Kosovës që e siguruan lëvizjen e lirë këtë vit, qytetarët e vendeve të tjera të rajonit e kishin atë për më shumë se dhjetë vjet.
Keep Watching
Por, kur janë hequr vizat për shtetasit e Serbisë, është vendosur që liberalizimi të mos vlejë për ata që kanë pasaporta të Serbisë e që banojnë në territorin e Kosovës.
Qeveria e Kosovës e ka kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e tyre në liberalizimin e vizave, duke e cilësuar atë si “shkelje të integritetit territorial të Kosovës” dhe duke pohuar se të gjithë shtetasit e Kosovës, përfshirë edhe ata me përkatësi etnike serbe, mund të pajisen me pasaporta biometrike të Kosovës.
Për Qeverinë e Kosovës, problematik është edhe fakti se në pasaportat që i lëshon Drejtoria Koordinuese e Serbisë, vendbanimet në territorin e Kosovës shkruhen sikur të jenë në Serbi.
Pas votimit të sotëm pritet që i njëjti raport të votohet edhe në seancë plenare nga i tërë Parlamenti Evropian, që do të zhvillohet prej 22 deri më 25 prill.
Kjo seancë plenare do të jetë edhe e fundit në këtë përbërje të Parlamentit Evropian, pasi nga data 6 deri më 9 qershor do të zhvillohen zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian në 27 vendet anëtare të BE-së.
Raportuesi Nemec ka shprehur qëllimin që procedura për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë të kryhet gjatë këtij mandati të PE-së, në mënyrë që Këshilli Evropian ta formalizojë vendimin dhe ai të hyjë në fuqi./REL