Gjykata e Apelit të Tiranës ka dënuar me plot 12 vite burg noteren Rezarta Koçi, e akuzuar se ka mashtruar disa qytetarë duke u marrë shuma të konsiderueshme parash.
Koçi u arrestua dy vite më parë me akuzat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, pasi më herët kishte përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm.
Për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, Koçi është dënuar me një total prej 8 vitesh në burg.
Koçi u vu në qendër të lajmeve në nëntor të vitit 2021, pasi makinës së saj tip “Range Rover” i vendosën lëndë eksplozive teksa ishte parkuar në Komunën e Parisit, Tiranë.
Më herët, Koçi ka shërbyer asistente e ish-ministrit Eduard Halimi dhe ka punuar si pedagoge në një universitet privat.
Vendimi i plotë:
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal. Nga materialet e referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në përmbajtje të tyre rezulton se ndaj noteres me iniciale R.K. në periudha të ndryshme kohore, janë paraqitur kallëzime nga shtetasit me inicialet E.Q, P.Z, E.N, F.D, duke pretenduar se duke shpërdoruar detyrën u ka vjedhur një shumë parash.
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurës me iniciale R. K, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, kryer në katër raste dhe“Falsifikimi i dokumentave”,më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 135 dhe 186/2 të Kodit Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 313, datë 08.02.2023 ka vendosur:
1.Deklarimin e të pandehurës R. K fajtore për veprën penale të “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” në dëm të viktimës P. Z, dhe dënimin e saj në bazë të nenit 135 të Kodit Penal me 5 (pese) vjet burgim.
2.Deklarimin e të pandehurës R. K fajtore për veprën penale të “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” në dëm të viktimës E. Q dhe dënimin e saj në bazë të nenit 135 të Kodit Penal me 5 (pese) vjet burgim.
3.Deklarimin e të pandehurës R. K fajtore për veprën penale të “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” në dëm të viktimës E. N dhe dënimin e saj në bazë të nenit 135 të Kodit Penal me 5 (pese) vjet burgim.
4.Deklarimin e të pandehurës R. K fajtore për veprën penale të “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” në dëm të viktimës F. D dhe në bazë të nenit 135 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 5 (pese) vjet burgim.
5. Deklarimin e të pandehurës R. K fajtore për veprën penale të “Falsifikimi i dokumentave” më shumë se një herë,” dhe dënimin e saj në bazë të nenit 186/2 të Kodit Penal me 2 (dy) vjet burgim.
6. Në zbatim të nenit 55 të K. Penal, në bashkim të dënimeve, e dënon të pandehurën R. K me një dënim të vetëm prej 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.
7. Në zbatim të nenit 406 te Kodit te PR. Penale, i ulet 1/3 e masës se dënimit duke e dënuar përfundimisht te pandehurën R. K me 10 (dhjetë) vjet burgim.
8. Vuajtja e dënimit i fillon te pandehurës nga dita e arrestimit te saj ne lidhje me këtë çështje.