Organizata Freedom House ka publikuar raportin për vitin 2024, në të cilin evidentohet se demokracia në Shqipëri u ndesh me një sërë sfidash, sidomos gjatë zgjedhjeve vendore 2023, të cilat konsoliduan më tej pozitën dominuese të partisë në pushtet. Vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë mbetet i pandryshuar nga viti i kaluar, duke e cilësuar si një vend me sistem hibrid të qeverisjes.
Raporti “Vendet në Tranzicion: Një rajon përballë forcave të autokracisë dhe demokracisë”, është ndalur gjerësisht në luftën kundër korrupsionit dhe rezultatet që po jep SPAK, por gjithsesi ky fenomen mbetet ende shqetësues.
“SPAK-u gradualisht përmirësoi rezultatet e hetimeve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngriti akuza kundër një numri politikanësh kryesorë në Shqipëri në vitin 2023, duke u bërë njëri nga institucionet e pakta funksionale të drejtësisë dhe prokurorisë në vend, ndërkohë që procesi i vetingut në Shqipëri vazhdoi edhe gjatë vitit 2023″, thuhet në raport.
Në raport evidentohen edhe hetimet që SPAK ka nisur ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha për korrupsion në aferën ‘Partizani’. Freedom House thekson se pasi Berisha u vendos në arrest shtëpie, grupi mbështetës i tij, u kthye i dhunshëm dhe ka bërë përpjekje për destabilizimin e vendit. Kujtojmë këtu seancat e kaosit prej 5 muajsh në Kuvend.
“Që nga tetori, fraksioni i Partisë Demokratike të Berishës është shndërruar në një grup të dhunshëm që duket se dëshiron të destabilizojë vendin, duke e bërë lajmin e arrestimit të tij të mirëpritur për shumëkënd”, shkruhet në raport.
Raporti po ashtu citon edhe aktpadinë e SPAK-ut ndaj ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për korrupsion dhe lëshimin e fletë-arrestit ndërkombëtar pasi ai u largua nga Shqipëria. Freedom House thotë se SPAK është përballur me sulme nga opozita dhe media e saj, duke e kalsifikuar kështu Shqipërinë si një vend me demokraci hibride.
“Pas hetimeve dhe akuzave të SPAK-ut ndaj Berishës dhe Ahmetajt, si dhe ekspozimit të lidhjeve ndërmjet disa grupeve të krimit të organizuar me biznese, politikanë dhe agjenci të rendit” është vënë re “një fushatë në rritje dezinformimi nga disa portale dhe nga figura të larta politike në qeveri dhe opozitë për të diskredituar punën e SPAK-ut”, thuhet në raport.
Këto përpjekje të shtuara të SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë, sipas ‘Freedom House’, kanë nxitur sulme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të tij nga të gjitha partitë politike, të cilat vazhdojnë të mos distancohen nga zyrtarët e akuzuar mes radhëve të tyre.
Më tej në raport theksohet se partitë politike duhet të largojnë personat që janë të përfshirë në korrupsion dhe minues të demokracisë. Në këtë pikë kujtojmë që ish-kryeministri Sali Berisha është shpallur non grata nga SHBA për përpjekje për të minuar demokracinë dhe përdorimin e pushtetit për të pasuruar familjen.
“Reagimi negativ nënvizon realitetin se SPAK-u nuk mundet të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta i vetëm dhe se është e rëndësisë jetike për demokracinë në Shqipëri, që partitë politike t’i largojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion dhe që kanë një të kaluar që minon sundimin e ligjit dhe demokracinë”, thuhet në raport.
Sipas ‘Freedom House’ “partitë politike shqiptare vazhdojnë të mos jenë në gjendje të përballen me korrupsionin në radhët e tyre dhe duken të pavullnetshme për t’u distancuar nga udhëheqësit problematikë partiakë që janë sanksionuar jashtë vendit ose që ballafaqohen me akuza serioze nga SPAK-u.”
“Kjo dukuri pjesërisht ka të bëjë me mungesën e demokracisë së brendshme të partive politike dhe paaftësisë së tyre” për t’i dhënë përgjigje kësaj dukurie negative në radhët e tyre.
“Dështimet e brendshme partiake janë bartur në strukturat qeveritare – duke ngjallur armiqësi të shtuar ndaj kritikëve në sektorët e shoqërisë civile dhe mediave – dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të pafavorshëm në gjendjen e përgjithshme të demokracisë në Shqipëri”, thuhet në raport.
Freedom House po ashtu vë në dukje përkeqësimin e gjendjes së mediave dhe zvogëlimin e hapësirës të shoqërisë civile. Raporti në veçanti vë në pah dhunën fizike ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila, si edhe rastin e gazetarit Elton Qyno, apo Ola Xama.
Në raport përmendet edhe përçarja mes Partisë Demokratike.
“Përçarja e Partisë Demokratike pati efekt zinxhir tek roli që opozita luan për ta mbajtur përgjegjëse qeverinë dhe për të kontribuar në funksionimin bazë të parlamentit, duke çuar drejt përplasjeve të dhunshme në parlament në dy muajt e fundit të vitit 2023 që minuan rolin e rëndësishëm që legjislatura luan në demokracinë parlamentare,” thuhet në raport.
Qeveria, sipas raportit, i shfrytëzoi “përplasjet e dhunshme për të penguar edhe më tej autoritetin e parlamentit që të kërkojë llogaridhënie nga qeveria, duke miratuar një numër ligjesh të reja në dhjetor të vitit 2023 për dënime të ashpra ndaj anëtarëve të parlamentit që veprojnë në kundërshtim me rregullat, duke ia vështirësuar opozitës që të kërkojë hetime parlamentare për vendimet e qeverisë”.
Raporti gjithashtu thotë se “kryeministri Rama dhe Partia Socialiste shfrytëzuan përçarjet gjithnjë e më të dhunshme të opozitës për të konsoliduar pushtetin dhe dominuar zgjedhjet e mbajtura më 23 maj”.
“Vëzhguesit e zgjedhjeve dokumentuan shpërdorimin e burimeve shtetërore nga Partia Socialiste për të rritur avantazhin politik në një mori komunash para zgjedhjeve, një strategji veçanërisht e dobishme në nivelin komunal ku shumë prej qeverive lokale nuk kanë financim të mjaftueshëm dhe varen nga qeveria qendrore,” thuhet në raport.