Kryebashkiaku i tiranës, Erion Veliaj ka pritur në takim dy artistët e njohur grekë, Marinella dhe Antonis Remos, të cilët mbajtën mbrëmë në Pallatin e Kongresve koncertin “One Night Only”.
Gjatë takimit, kryebashkiaku tha se pavarësisht debateve politike mes vendeve, janë njerëzit ata që i lidhin popujt, ndërsa theksoi se shpreson që dashuria që dy artistët morën në Tiranë, të përkthehet në Greqi, për të thënë që jemi më afër nga se e mendojmë.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme, që e famshmja Marinella, e cila është gjithmonë e re, me energji dhe dashuri të madhe për vendin tonë, dhe Antonis Remos, i cili është gjenerata e re e atyre që kanë prodhuar muzikë, si edhe ura mes vendeve.
Pavarësisht se politika bën ato të vetat dhe shtetet kanë debatet e tyre, unë besoj se janë njerëzit që i lidhin popujt. Fakti që njerëzit dëgjojnë muzikën tënde, e kërcejnë në dasmat e tyre, dhe fakti që popujt janë ndonjëherë shumë më të lidhur me njëri-tjetrin seç mendojmë ne nga titujt e gazetave, është vërtetë refren i kësaj marrëdhënie.
Shpresoj shumë që këto përshtypje, kjo dashuri, që ju dha qyteti, këto ndryshime, përkthehen gjithashtu në Greqi. Edhe atje për të ndryshuar pak mentalitetin dhe për të thënë që jemi shumë më afër se mendojmë”, tha Veliaj.
Ai u dhuroi këngëtarëve kullën e sahatit të Tiranës. “Kam një dhuratë të vogël për ju. Unë e di që Greqia dhe Shqipëria kanë një orë diferencë, por kjo është gjithmonë ora e Tiranës. Është gjithmonë koha për t’u kthyer në Tiranë, për të kaluar pak kohë në Tiranë, për të pushuar, për të prodhuar muzikë, dashuri dhe marrëdhënie speciale mes njerëzve tanë”, deklaroi Veliaj.