Ushtria shqiptare i është bashkuar garës së armatimeve.
Qeveria ka propozuar një strategji afatgjatë për rilindjen e këtij sektori ku po mendon që deri në 2033-in të shpenzojë deri në 181 miliardë lekë ose 1.8 miliardë euro.
Për herë të parë në buxhetin e këtij viti qeveria shqiptare plotësoi detyrimin si anëtare e NATO duke harxhuar 2% të PBB-së së saj për fuqizimin e ushtrisë, ndërsa në strategjinë e nxjerrë për konsultim publik parashikohet që ky ritëm të mbahet për çdo vit, deri sa në 2033-shin të arrijë në 2.83% të PBB-së.
Në rilindjen e ushtrisë parashikohet të shtohet me 100 numri I forcave luftarake aktive, por përtej kësaj qeveria do të investojë në armatime modern ku përfshihen dronët pa pilot, krijimin e sistemit anti-dron apo blerjen e helikopterëve të rinj Black Hawk. Nga vlera e parashikuar e investimeve, Forcat Ajrore do të marrin fondet më të mëdha ndjekur nga ato detare dhe më pas tokësore, ndërsa pas nuk mbetet as komanda mbështetëse.
Strategjia përfshin një rijetësim të bazave ushtarake ku pritet do të investohet në garnizonet Zall-Herr, Ferraj e Pezë Helmës. Po ashtu, parashikohet ndërtimi i infrastrukturës stërvitore në Pajet, Bizë dhe në Mnelë. Në listën e investimeve është edhe zhvillimi i infrastrukturës pritëse dhe akomoduese portuale dhe aereoportuale në Porto Romano dhe bazën detare Pashaliman. Përveç bazës së NATO në Kuçovë pritet të modernizohet edhe Bazës Ajrore Farkë.
Një aspekt i rëndësishëm është investimi në mbrojtjen kibernetike ushtarake ku një nga projektet më të rëndësishme është ngritja e sistemit “Nato Sekret” që e vendos Shqipërinë në të njëjtin nivel teknologjie me aleatët.