Shofer në gjendje të fikti, autobusa që përfundojnë në lumin Lana apo marrin zvarrë makina ku kalimtarët shpëtojnë mrekullisht… ky është bilanci i autobusave të linjës “Green Line”, të cilit i ruhen të gjithë në kryeqytet.
Ditën e sotme, për shkak të një aksidenti rrugor, dy gra që udhëtonin me linjën e autobusave “Green Line” kanë mbetur të dëmtuara nga përplasja e autobusit me një mjet tjetër.
Frenimi i fortë i shoferit ka bërë që gratë të fluturojnë brenda autobusit që lëvizte me shpejtësi dhe nga goditjet të jenë lënduar rëndë. Sipas zyrtarëve të kompanisë, faji paska qenë i zonjave, pasi nuk janë mbajtur gjatë udhëtimit me mjetin urban.
Ndoshta në udhëtimin e radhës kompania do t’iu kërkojnë të lidhni rripat e sigurimet dhe të mbani veshur ndonjë helmetë, pasi mundësitë që kjo linjë e transportit publik të shkaktoj aksident qenkan të mëdha dhe rreziku të kanoset në çdo moment.
Kujtojmë këtu për lexuesin se kohë më parë, një nga autobusat e “Green Line” të linjës së unazës përfundoi duke marrë përpara 6 mjete të tjera dhe një kalimtare shpëtoi mrekullisht duke u larguar në momentin e fundit nga stacioni i urbanit.
Një ngjarje tjetër tronditi qytetin ku autobusi i kompanisë “Go Green” përfundoi në lumin Lana bashkë me një mjet tjetër poshtë tij, ku mbetën të plagosur udhëtarët e linjës dhe pasagjerët e mjetit.
Mjafton të bësh një kërkim në web, ku të shfaqen disa aksidente të linjës urbane, e cila tashmë po kthehet në mankthin e shoferave në rrugë, kalimtarëve dhe udhëtarëve të kësaj linje autobusash.