14 shtatori ’98 ka hyrë në historinë e politikës së pas ’90-ës në Shqipëri, si ndër ngjarjet më të rënda. Pasojë e vrasjes së deputetit Azem Hajdari, ajo shërbyu dhe si një shfrim i demokratëve për pushtetin e humbur një vitë më parë, nga revoltat e ’97-ës me shkak firmat piramidale.
Mazhoranca e kohës e skanoi dhe më pas e cilësoi si grusht shteti, pasi për disa orë disa institucione të sulmuara me armë, pothuajse ranë në duart e militantëve demokratë.
Dhe ishte ndërhyrja e fortë e Perëndimit, ajo që bëri të mundur tërheqjen e turmave nga zyrat e Kuvendit, Kryeministria dhe RTSH-ja, për fat pa patur të vrarë, por me dëme materiale të jashtëzakonshme, përfshirë dhe vrimat e plumbave në muret e selisë qeveritare, të cilat Ben Blushi, si zëdhënës i Nanos, ia servirte medias me shumë pasion politik.
Për pasojë, Sali Berishës iu hoq imuniteti në mënyrë të rrufeshme, në një mbledhje emergjente të Parlamentit që nuk mblidhej dot në sallën e shkatërruar të tij por në selinë e kryesisë, nga frika e një sulmi nga njerëz të armatosur që ishin pranë në selinë e PD-së.
Po ashtu u hapën tre dosje penale ndaj personave të implikuan. U arrestuan edhe disa njerëz të njohur si kryetar i Legalitetit, Ekrem Spahia; Sali Shehu, thjesht militantë PD-je e më pas deputet; e gjithashtu Shemsi Premçi, sot Drejtor i Emergjencave Civile ai aset i së majtës, që në atë kohë ishte porsi Shehu thjesht një militant demokrat, duke qenë njëherësh ish-oficer i lartë policie etj.
Në Prokurorinë e Përgjithshme që drejtohej nga Arben Rakipi, u ngrit një grup i posaçëm prokurorësh që drejtoheshin në atë kohë nga Nasip Naço, sot deputet i LSI-së në Parlament.
Por akuza për organizatorët u shua dalëngadalë, pikërisht pas një negocimi të atëhershëm të ambasadorit amerikan në Tiranë, Robert Froëick me liderin e opozitës Sali Berisha, për ta bindur këtë të fundit që të dëshmonte zyrtarisht pranë një prokurori ndërkombëtar që këshillonte porkurorinë shqiptare për vrasjen e Azem Hajdarit.
Ngritja e grupit “Hajdari” në Prokurorinë e Përgjithshme eleminoi si pa zhurmë grupin e prokurorëve të 14 shtatorit.
Por nga viti në vit, ky grup prokurorësh u larguan dhe tashmë ata janë degdisur larg institucionit të akuzës, kryesisht gjatë qeverisjes së PD-së në vitiet 2005-2013.
Politika bëri me qetësi punën e saj për ta çmontuar grupin.
Ilir Meta, kur ishte kryeministër emëroi një nga prokurorët kryesorë të 14 shtatorit, Bujar Himçin si zv.ministër të Brendshëm, i cili pas një makinacioni politik u arrestua dhe u dënua së bashku me numrin dy të Policisë Shqiptare, Veli Myftari, për t’u bërë “viktima të luftës ndaj peshqve të mëdhenj” që kërkonte BE.
Por më vonë u mësua se akuza ndaj tyre për skandalin e pasaportave ishte e montuar.
Nasip Naço e kuptoi herët se situata po degradonte dhe u largua nga Prokuroria duke iu afruar Ilir Metës, i cili në vitin 2009 kur iu desh të kandidonte në Tiranë për të marrë vota për LSI-në, i dorëzoi Nasip Naços “kështjellën” e tij, Skraparin.
Prokurorët e tjerë si Ylli Bedalli, që ishte një ndër juristët më të ndershëm shqiptarë u degdisën nga prokuroria me ndërhyrjen e politikës.
Ylli Bedalli për shembull, i cili tani është në prag të pensionit, është një ndër prokurorët model në vend dhe mjaft të rrallë në Shqipëri që ka jetuar të gjithë jetën vetëm me rrogë. Ai është një rast “arkeologjik” në drejtësinë shqiptare të mbushur me njerëz të pasur që ecin me makina të shtrenjta, jetojnë në shtëpi të mëdha, fëmijët i kanë shkolluar në Perëndim dhe jetojnë në luks.
Pra të gjithë prokurorët e 14 shtatorit u larguan dhe dosja juridike e cila ka shumë rëndësi sepse si e tillë mund të rifillojë, nuk dihet se ku është.
Kjo sepse kryeprokurorët Arben Rakipi, Theodhori Sollaku, Ina Rama e në fund Adriatik Llalla, sido që kanë pasur vetitë e tyre ndoshta edhe guxime në raste të caktuara, ishin gjithsesi pjesë e politikës dhe bënë kompromise të mëdha me të.
Rasti i14 shtatorit ka brenda dy ngjarje: vrasjen e Azem Hajdarit dhe më pas sulmin e armatosur ndaj qeverisë.
Për të parën janë dënuar disa persona që nuk kanë qëlluar direkt ndaj deputetit të PD-së, ku më kryesori është Jaho Mulosmani. Por Flamur Haklaj që ishte një ndër ekzekutorët u vra. Ndërsa ai që dha urdhër që të vritet Azemi nuk u gjet asnjëhrë.
Ndërsa për kryengritjen e armatosur, edhe pse një nga pjesëmarrësit e saj, Izet Haxhia ish-truproja e Sali Berishës, ka shprehur me vullnet se është gati të bashkëpunojë me drejtësinë, asnjë nuk ka shkuar ta pyesë zyrtarisht.
Izet Haxhia është shumë aktiv në rrjetet sociale me analiza dhe kujtesa mbi ngjarjet që kanë ndodhur në vend. Ai jeton në ekzil në Turqi, pasi ka fituar gjyqin që të mos vijë në Shqipëri në vitin 2006, pasi sipas tij do të eleminohej nga shteti. (Tesheshi.com)