Ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu, disa muaj më parë deklaroi se në Shqipëri ka 4 familje mafioze dhe 20 grupe kriminale. Edhe pse ka kaluar kohë nga kjo deklaratë, ende nuk ka emra konkretë apo rezultate konkrete ndaj këtyre grupeve.
Në emisionin “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News24”, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj thotë se në vendin tonë veprojnë më shumë se 20 grupe kriminale. Sakaq, ai thekson se fokusi nuk është tek shifrat, por tek puna për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Sipas ministrit Xhafaj në kuadër të operacionit “Forca e ligjit” po punohet për goditjen e këtyre grupeve kriminale, ndërsa shton se deri më tani është goditur një grup në Fier dhe një në Shkodër.
PJESE NGA INTERVISTA
Sa ka avancuar procesi për goditjen e 4 grupeve kriminale?
Së pari unë kam folur për grupet në Shkodër. Dhe kam thënë se në këtë qark janë identifikuar 5 grupe, dhe njëri prej tyre është goditur.
A janë identifikuar 4 familjet mafioze në vend, 20 grupet kriminale, që tha ambasadori Lu?
Janë më shumë se 20.
Ku janë këta persona?
Janë të shpërndarë nëpër territor. Tirana ka peshën më të madhe. Janë Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani, janë për çështje të ndryshme, kryesisht për kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, për vrasje dhe çështje të tjera penale. Ka një pjesë prej tyre që janë në territorin shqiptar, ka një pjesë që janë larguar. Disa janë larguar edhe gjatë kësaj periudhë për shkak të presionit që është krijuar.
A ka të paprekshëm mes tyre?
Jo nuk ka.
Po familje mafioze të paprekshme?
Mund të jenë 4 apo 5, apo më shumë.
Ambasadori Lu tha 4 familje?
Ambasadori Lu nuk është prokuror, ai thotë ato që i japë paraqitur përmes informacioneve. Ne nuk duhet të fokusohemi tek numrat konkretë, por lufta ndaj këtyre problemeve. Megjithatë do thoja se këto familje apo grupe kriminale, nuk janë tipike mafioze, ketë e themi ne e kanë thënë edhe të huajt. Ky është një proces, për të bërë identifikimin duhet kohë.