Një nga burimet kryesore për rritjen ekonomike të vendit, siç është sektori i turizmit, po vazhdon të nëpërkëmbet në mënyrën më të shëmtuar nga zaptuesit e bregdetit, të cilët janë angazhuar me “kazma e lopata” për të mbushur xhepat e tyre, madje janë aq “makut” sa edhe ato pak zona të mbetura turistike i kanë kthyer në pronë private e të aksesueshme vetëm për një grusht individësh, duke mos i dhënë asnjë vlerë ekonomike vendit, por vetëm për t’i përdorur e llastuar vanitetin e tyre të sëmurë.
Kazmaxhinjtë dhe lopataxhinjtë po marrin ende leje ndërtimi për t’ia bërë ende një “atraksion të largët” turizmin qytetarëve shqiptarë, madje duke i pamundësuar atyre dhe aksesimin në ato zona që ua ka falur qysh në lindje, Perëndia. Me sa duket, shqiptarët dhe turizmi janë të “mallkuar”, nga fallxhorët e sistemit, që mrekullitë që ja ka falur natyra, të mos arrijnë t’i shijojnë kurrë!
Pa përmendur masakrën mjedisore që shkaktojnë këto ndërtime, fshatrat turistik me vila dhe apartamente që shkojnë për shitje, nuk i japin turizmit dhe ekonomisë asnjë vlerë të shtuar. Këto apartamente e vila, që në vend të tyre duhet të ngriheshin resorte gjigande, janë ambiente, të cilët sipas statistikave frekuentohen vetëm 15-30 ditë në vit nga pronarët e tyre dhe zonat nuk janë të aksesueshme as për pushuesit shqiptarë dhe as për ata të huajt. Pasi shkatërruan dhe betonizuan bregdetin e Gjirit të Lalëzit, kazmaxhinjtë dhe lopataxhinjtë mësohet se po përfundojnë pengmarrjen e bregut të zonës së Palasës, e vetmja zonë që kishte mbetur ende e paprekur nga “bandat” e bregdetit.
Së fundmi mësohet se kompania Balfin Group (e zotëruar nga biznesmeni Samir Mane), është në përfundim të punimeve në fshatin turistik “Green Coast”, në një nga plazhet më të bukur të rivierës Shqiptare, dikur e paprekur, në zonën e Palasës. Paralelisht, kompania e ndërtimit “Edil – Al – It” (e zotëruar nga biznesmeni Artan Dulaku), ka njoftuar ndërtimin e tre fshatrave turistik në këtë zonë.
Në lidhje me publikimin për Lejimin e Përdorimit të Brigjeve në funksion të realizimit të projekteve investuese strategjike “New Born” dhe “Green Coast“, Balfin Group, pjesë e të cilit janë edhe kompanitë Mane TCI dhe Green Coast si përfituese të këtij vendimi, sqarojnë opinionin publik se:
“Balfin Group gjykon se mënyra më reale e krijimit të një strategjie turizmi të qëndrueshëm në Republikën e Shqipërisë, ashtu siç dhe është konfirmuar nga konsulentët më të njohur të kësaj fushe, është krijimi i Destinacioneve të mirëpërcaktuara turistike në bregdet. Grupi ynë këtë ka përdorur këtë metodë në investimet e veta turistike.”
Pra sipas ekspertëve që bëjnë strategji në fushën e turizmit, blerja e një apartamenti në Palasë dhe shfrytëzimi i tij për 15-30 ditë në vit, do të rris ndjeshëm ekonominë e vendit dhe destinacioni i mirëpërcaktuar i turistëve të huaj por edhe atyre shqiptarë do jetë sigurisht “Green Coast apo New Born”, edhe pse me shumë gjasa dera e fshatit do jet e mbyllur dhe e paaksesueshme nga asnjë individ që nuk është në pronësi të vilës brenda saj, madje pushuesit vendas apo të huaj, t’i luten Perëndisë, e në past mëshirë për ta, “bandat” e bregdetit tu lejojnë të vendosin ndonjë çadër apo peshqir në plazh, i cili sigurisht në 80% të tij do jet privat. Pra sipas logjikës së Balfin, destinacionet turistike të mirëpërcaktuara me ligj e që përfiton kompania, janë shtëpitë e pasunarëve të sistemit, që mund t’i shohësh nga qindra metra larg.
Me logjikën e modelit “Destinacion i pamundur turistik” dhe “Fshatin e kam unë dhe ligjin e bëj unë”, po vepron dhe kompania kolege e zaptuesve të bregdetit, në pronësi të biznesmenit Artan Dulaku, ku sipas kompanisë:
Edil al, vitin tjetër nis punimet për ndërtimin e një fshati turistik në zonën ndërmjet Palasës dhe Dhërmiut, të quajtur “Palasa Bay Resort”. Projekti do të shtrihet në rreth 14 hektarë tokë dhe sipërfaqja e ndërtimit do të jetë në 44.000 metër katror, ku në pjesën jugore të saj shtrihet deti. Janë projektuar 160 njësi vilash dhe një hotel.
Edilal ka në plan të përfundojë brenda vitit 2019, një kompleks rezidencial me vila në Gjirin e Jalës, 55 kilometra nga Vlora. Fshati i Jalës u dizajnua nga studio italiane OIKOS Progetti dhe parashikon ndërtimin në një sipërfaqe toke prej 45 mijë metrash katror, ku 4100 metër janë për vila dhe hotelin në 2200 metër katror.
Edilal njofton se do të zhvillojë një projekt të ngjashëm në Ksamil. Ky projekt do të dizajnohet në bashkëpunim me studion arkitektonike greke ORIO & Partners. Arameras BEACH resort parashikohet të vendoset në një sipërfaqe 29 hektarë ku sipërfaqja e ndërtimit është 112.940 metër katror.
Kompania Edil Al prezantoi projektin për ndërtimin e një fshati turistik të kombinuar me hotel dhe resort në Gjirin e Lalëzit. i pagëzuar me emrin “San Pietro Resort”, projekti synon që në gjithë sipërfaqen e truallit prej 350.000 m², do të jenë të ndërtuara 140.000 m² sipërfaqe, nga të cilat 98.600 metër katror do të jetë fshati turistik, një rezidencë e ndërthurur me vila dhe apartamente dhe 41.400 m² do të jetë hoteleri dhe resort me 5 yje. Resorti është duke u zhvilluar në me partneritet me kompaninë spanjolle “Melia Group”, e njohur për menaxhimin e resorteve me shërbime luksi. investimi do të përfshijë 88 milionë euro, ndërsa pritet të jetë në operim brenda tre viteve bëjnë me dije burimet e kompanisë dhe do të ofrojë ofertat all inclusive.
Modeli i fshatrave “Destinacion i pamundur turistik”, është modeli më i parapëlqyer nga “bandat” e bregdetit, e cila është angazhuar me kazma e lopata të shkatërrojnë mjedisin gjatë ndërtimit në këto zona, shkatërrojnë turizmin duke mos sjellë asnjë përfitim ekonomik për zonën përreth, e sigurisht asnjë kacidhe për vendin. Këto fshatra, veç disa rojeve që sillen vërdallë, nuk ndikojnë aspak në punësimin e indidëve të specializuar në këtë sektor, ndryshe nga resortet turistike, të cilët do të ndikonin drejtpërsëdrejti në turizëm, punësim, bujqësi dhe ekonominë e vendit.
Fshatrat e izoluari të ngritura mbi modelit e “Destinacionit të pamundur turistik”, po zhvillohen sipas parimit të ndërtimit të shëmtuar të Gjirit të Lalëzit, ku dikur bregu i zgjatur paralel një pylli të bekuar, u betonizua dhe u shkatërrua dhe e pronësua prej atyre që tash 27 vjet e shkatërruan këtë vend!/Ekskluzive.al