Rruga e Kombit thotë, Basha është e pandarë nga emri i tij, e për këtë arsye jep edhe një premtim për traun e vendosur dhe tarifën që paguhet.
“Fillimisht akuzat e kundërshtarëve i kam shpërfillur me një farë neverie. Thoja çfarë janë këta 238 milionë euro dëme, ndërkohë që pagesa totale kur unë jam larguar nga ministria ishte vetëm 60 milionëshi i garancisë që të fillonin punimet. Pra, ishte një stisje totale.
Sigurisht që e çuan në prokurori, e dija të gjitha domethënë çfarë bënë. Pastaj faza e dytë që kam patur ka qenë një zemërim në kufijtë e tërbimit.
Tani mirë që nuk më japin dekoratë, se nuk e dua nuk e kam bërë për dekoratë, mirë që nuk thonë faleminderit, po pse duhet të bëjnë këtë tjetrën pse janë kaq të ligë derisa e kam kuptuar që e kisha gabim. Çdo gjë e kishte dorën e Zotit brenda. Dua t’i them faleminderit Edi Ramës dhe gjithë të tjerëve që u bashkuan në atë betejë balte kundër meje. Në veçanti faleminderit atyre që e bënë këtë çështje penale, edhe të tjerëve që për agjenda të ngushta politike, ndoshta dhe disa që mund të kenë pasur Brenda familjes time politike kontribuan në të. Sepse pa ndihmën e tyre ndoshta do ishte harruar roli im në ndërtimin e kësaj rruge.
Jo se e kam nevojë që të kujtohem, por ata kanë kontribut të përjetësohet roli im në ndërtimin e kësaj rruge. Sigurisht asnjë prej akuzave nuk qëndron. Rruga sot ka dëshmuar se ka qenë investimi ekonomik më i urt dhe më dobiprurës i shtetit shqiptar që nga themelimi. Vetëm volume i turizmit e justifikon çdo dy vjet koston totale të rrugës. Volumi ekonomik e ka justifikuar 8, 9m herë ndërtimin e rrugës. Kostoja e ndërtimit të rrugës, jo sot por edhe para 10 vitesh, është minimalisht 2 deri në 3 herë më e lartë sesa momenti që u ndërtua dhe u përfundua. Dhe është prokurimi publik më i pastër që ka pasur ndonjëherë Shqipëria dhe Ballkani.
Nuk ndihem mirë kur shoh që në kohën kur u ndërtua nuk ishte me pagesë, ndërsa sot është me pagesë. i qëndroj angazhimit tim që kjo rrugë duhet të mirëmbahet, padiskutim, por vendosja e traut zhbën gjithçka. Ideja është që s’ka më pengesa, papritur i vënë traun. Pra është një hile e keqe me anë të së cilës shteti heq përgjegjësitë për të paguar për mirëmbajtjen e kësaj rruge për të cilat i merr taksat.
Ia jep këto përgjegjësi privatit i cili merr taksë ekstra dhe fitimprurëse. Kështu që i qëndroj një angazhimi që e kam bërë publik para shqiptarëve, që një nga aktet e para si kryeministër është largimi i këtij trau. Rruga është zhvillim dhe këto rrugë janë ndërtuar edhe për t’i dhënë një hov të ri ekonomisë lokale”, tha Basha.