Shkëlzen Hoxha është dënuar me dy vite burg, ku mbi të rëndon akuza e abuzimit mbi një tender për sistemin e një përroi në Krujë. Por 3-shja e trupit gjykues; kryesues Ded Miri , Alfred Gjoni e Marçela Shehu, pavarësisht se dënoi ish-kryebashkiakun e Partisë Demokratike vendosi t’i pezullojë dënimin me burg, duke e lënë në shërbim prove për një periudhë 4-vjeçare.
Sipas ‘’Shqiptarja.com’’, Njazi Premçi, vëllai i Shemsi Premçit është gjetur fajtor dhe dënuar me dy vite burg, por ashtu si dhe për ish-kryebashkiakun, gjykata ka vendosur t’i pezullojë burgun për një afat 4-vjeçar.
Përveç Prençit, gjykata ka dënuar me 5 milionë lekë të reja gjobë kompaninë “Regli”, ndërkohë që refuzoi të pranojë kërkesën e prokurores Mirela Kostaqi (Kapo) që të konfiskojë llogarinë bankare të kësaj kompanie. Në këtë dosje penale kanë qënë të pandehur dhe më pas dënuar dhe ish-zyrtarët e bashkisë Krujë si Xhuma Roshi, Indrit Fida dhe Spartak Shehu. Të gjithë këta persona akuzohen se kanë abuzuar me fondin e emergjencës, i cili u është akorduar për “Sistemimin e përroit, lagjia nr.1, Ura e Madhe-Krujë, me vlerë 20.520.000 lekë me Tvsh”. Për këtë rast, prokuroria ka nisur hetimin në bazë të një kallëzimi të Bashkisë Krujë, të dorëzuar në fund të vitit 2015.
Vjedhja 8 milionë lekë
Nga hetimi i Prokurorisë së Krujës ka rezultuar se vlera në terren e investimit në këtë projekt është shumë më e vogël, duke arritur në konkluzionin se ish-kryetari i Bashkisë dhe administratori i kompanisë, që fitoi procedurën e prokurimit, kanë vjedhur mbi 8 milionë lekë të reja. Bashkia Krujë ka konstatuar problematikën në terren, pas ankesave të qytetarëve të ndryshëm. Sipas shqetësimit publik, në dimrin e vitit 2014, zona Ura e Madhe-Krujë u përmbyt nga shirat e shumtë.
Në pranverën e vitit 2015, pak para zgjedhjeve lokale, Bashkisë Krujë iu akordua fond emergjence nga ana e Ministrisë së Brendshme për sistemimin e përroit, me qëllim shmangien e përmbytjeve në vijim. Por, edhe pas sistemimit, situata e përmbytjeve nuk ishte shmangur dhe kjo u evidentua në dimrin e vitit 2015, kur zona u përmbyt sërish. Në këto kushte, Bashkia Krujë dorëzoi kallëzimin në Prokurori, e cila zhvilloi hetimet.
Në bazë të veprimeve proceduriale, rezultoi se ish-kryetari i Bashkisë, Shkëlzen Hoxha, në mars 2015 ka njoftuar 5 firma për të marrë pjesë në procedurën e prokurimit për sistemimin e përroit. Nga shqyrtimi i procedurave, rezultoi se 2 prej 5 kompanive të ftuara, nuk u ishte bërë i ditur afati i dorëzimit të dokumentacionit. Këto dy kompani nuk morën pjesë në tender, për shkak të mungesës së dijenisë për datën.
Një ditë para zgjedhjeve
Ndërkohë, nga 3 kompanitë e tjera, u shpall fituese “Regli” shpk”. Sistemimi i përroit ishte parashikuar të përfundonte brenda dy muajve, pikërisht në maj 2015. Por, rezulton se ai është përfunduar dhe marrë në dorëzim në 24 qershor 2015, një ditë pas zgjedhjeve lokale, në të cilat Shkëlzen Hoxha rezultoi humbës. Projekti, i cili sipas dokumentacionit, të nënshkruar nga ish-kryebashkiaku, ishte përfunduar brenda parametrave, rezultoi më pas, nga hetimi i Prokurorisë, se kishte mangësi të theksuara, shmangie nga projekti fillestar dhe ulje të ndjeshme të kostove të parashikuara.