Misioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, EURALIUS, i cili asiston autoritetet shqiptare për zbatimin e reformës në drejtësi, është pozicionuar kundër lejimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të përjashtuar nga drejtësia për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, që të ushtrojnë profesionin e avokatit. EURALIUS i ka kërkuar Kuvendit që të ndalojë me ligj gjyqtarët dhe prokurorët e ‘djegur’ nga Vetingu, për t’u kthyer në gjykata, tashmë si avokatë.
“Një çështje tjetër e diskutuar në Komision lidhet me faktin nëse si kriter për fitimin e titullit profesional të avokatit do të përfshihej sugjerimi i misionit EURALIUS, sipas të cilit kandidati për fitimin e titullit avokat nuk duhet të jetë shkarkuar nga një funksion publik me vendim të organit disiplinor kompetent”, thuhet në raport. Më tej, në raport sqarohet qëndrimi kundër i Dhomës së Avokatisë dhe të formulimin e neneve nga Komisioni i Ligjeve, i cili hedh poshtë propozimin e EURALIUS.
“Lidhur me këtë sugjerim, Dhoma e Avokatisë u shpreh me rezerva ndaj këtij propozimi, pasi profesioni i avokatit është një profesion i lirë, i vetërregulluar në ushtrimin e të cilit nuk mund të përjashtohen personat e larguar nga ushtrimi i funksionit me vendim të një organi administrativ, duke sjellë në vëmendje se është gjykata që në vendimin e formës së prerë mund të japë si dënim plotësues, heqjen e të drejtës për ushtrimin e një veprimtarie, si dhe faktin që masa displinore i nënshtrohet afateve të parashkrimit.
Komisioni lidhur me këtë çështje, vendosi që formulimi të jetë sipas draftit integral të rakorduar ndërmjet relatorit dhe propozuesit, sipas të cilit kandidatët për avokat nuk duhet të jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale sipas rasteve të përcaktuara nga pikat “i” deri “iii” të germës “dh” të nenit 13”, thuhet në raport.
Kriteret ndaluese
Misioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, EURALIUS, ka propozuar edhe disa kritere të tjera ndaluese, të cilat janë pranuar si dhe janë reflektuar në nenin 13 të projektligjit për profesionin e avokatit. Kështu për të fituar titullin ‘avokat’, shtetasi nuk duhet të jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilën nuk është rehabilituar; për një vepër penale të kryer me pakujdesi, për të cilën nuk është rehabilituar dhe që cenon figurën dhe integritetin e profesionit si dhe për një vepër penale të kryer me dashje, për të cilën është rehabilituar, por vepra penale cenon figurën dhe integritetin e profesionit të avokatit. Gjithashtu shtetasi nuk duhet të ketë marrë masën disiplinore të heqjes së titullit të avokatit me vendim të Komitetit Disiplinor, me përjashtim të rastit kur kjo masë disiplinore është shuar./Shqiptarja.com