Izet Haxhia tashmë do të nisë një tjetër betejë gjyqësore, këtë herë në Gjykatën e Apelit. Ditën e djeshme avokati i tij mbrojtës, Bashkim Nikolla dorëzoi zyrtarisht tek Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë kërkesën e apelimit kundër dënimit me 25 vite të dhënë për Haxhinë. Kjo kërkesë pritet të kalojë në kompetencë të Gjykatës së Apelit ku do të nisë edhe procesi gjyqësor që do të vendosë fatin e Izet Haxhisë. Burimet i thanë gazetës se seanca e parë gjyqësore pritet të zhvillohet brenda muajit korrik, ndërsa data e saj do të vendoset sapo të shortohet edhe trupa gjykuese që do të marrë në gjykim kërkesën e ish-truprojë së Berishës. Nga ana tjetër, gazeta ka arritur të sigurojë edhe kërkesën e plotë të depozituar nga avokati, ku renditen një sërë argumentesh interesantë pse Izet Haxhia kërkon të rrëzojë dënimin e marrë me 25 vite.
Midis të tjerash, në kërkesë thuhet se Haxhia, për të provuar pafajësinë e tij, ka përgatitur edhe një listë me dëshmitarë që do të kërkojë të merren në pyetje. Lista përbëhet nga 45 emra, pjesë e së cilës janë edhe një sërë emrash të njohur, ku përmendim: Fatos Nanon, Fatos Klosin, Zenel Nezaa, Arben Rakipin, Ardian Vishën, Petro Koçin, Ylli Rakipi, Alfred Peza, etj. “I nderuar zoti kryetar, për të provuar pafajësinë time kërkoj të pyeten me cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen shtetasit: Sali Lusha, Genc Pollo, Fisnik Sina, Zenel Neza, Mentor Daja, Sami Sula, Erli Murati, Genci Pepo, Kujtim Yzo, Pëllumbesh Gjoni, Marjan Gryka, Guxim Biberaj, Agim Logu, Jaho Mulosmani, Ismet Haxhia, Isamedin Haxhia, Ylli Rakipi, Genci Burimi, Majlinda Popoviç, Fatos Klosi, Alfred Peza, Dhurata Sina, Arben Rakipi, Ardian Visha, Agim Selimi, Shkëlzen Lushaj, Lad Mustafa, Ilir Cano, Fatos Nano, Elvis Gjeci, Afrim Krasniqi, Dem Dollapi, Cek Prozhlloni, Nehat Kulla, Petro Koçi, Astrit Muldaka, Jemin Gjana, Spartak Poci, Jozefina Topalli, Vili Minarolli, Ylli Rakipi, Shkëlzen Susha, Lad Mustafa, Besim Ymaj, Sali Berisha”, thuhet në kërkesën e Izet Haxhisë.
Provat që do të kërkohen
Në kërkesën e depozituar ditën djeshme, Izet Haxhia paraqet pikën e dytë tek e cila do të bazohet për të provuar pafajësinë e tij. Plani i tij është që gjatë seancave gjyqësore të kërkojë disa prova që sipas Haxhisë, do të faktojnë se persona të tjerë janë të implikuar me vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Mes të gjitha provave të munguara në dosje që Izet Haxhia kërkon t’i paraqesë para trupit gjykues mund të përmendim: bllokun e shënimeve të Albert Dervishit, ditarin e Perikli Tetës, tabulatet telefonike të personave që paraqesin interes për çështjen, kronikën e Artan Hoxhës apo edhe bisedën e regjistruar me diktofon nga Ylli Rakipi.
“Kërkojmë nëpërmjet gjykatës që prokuroria të sjellë në gjykatë të gjitha këto prova: Tabulatet telefonike të të gjithë numrave të celularëve që kanë mbajtur personat që paraqesin interes për çështjen sipas inventarit; Blloku i shënimeve sekrete të Perikli Tetës; Blloku i shënimeve të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Albert Dervishi; Po kërkojmë nëpërmjet gjykatës nëse pas informacioneve nga SHIK, etj, për rrezikun e mundshëm të vrasjes së Azem Hajdarit nga Fatmir Haklajt dhe parandalimin e saj nëse janë marrë masa përkatëse si nga ministri i asaj kohe, Perikli Teta dhe vartësit e tij direkt për të siguruar jetën e deputetit; Në qoftë se po, cilët persona janë caktuar në këtë shërbim special sepse është e domosdoshme të thërriten për të dëshmuar; Këta duhet të sqarojnë para gjykatës gjithë veprimtarinë e tyre në shërbim të Azem Hajdarit, deputet dhe kryetar i Komisionit të Rendit, Mbrojtjes dhe SHISH; Të gjitha provat shkresore t’i nënshtrohen hetimit gjyqësor; Tabulatet e celularëve që ishin në dosje sipas inventarit; Kronika e regjistruar e gazetarit Artan Hoxha; Regjistrimi i bisedës me diktofon i gazetarit Ylli Rakipi në momentin që i shkuan së bashku me Sali Berishën të plagosurit rëndë Zenel Neza, në Spitalin Ushtarak në Tiranë”, thuhet në kërkesë./ Mimoza IBRA