Një 47-vjeçar nga Fieri i dënuar për vrasje, është arrestuar nga policia kufitare e Kakavijes ditën e djeshme gjatë patrullimit në kufirin e gjelbër. Në prangat e uniformave blu përfundoi Ëngjëllush Agallija, i cili u kap rastësisht duke tentuar të kalonte kufirin në mënyrë ilegale. 43-vjeçari është dënuar 3 vite më parë, me 10 vite burg për akuzën e “Vrasjes me dashje”. Pas ndalimit dhe verifikimit të këtij shtetasi, ka rezultuar se ai është dënuar nga Gjykata e Apelit të Vlorës me 10 vite burg për një vrasje që ka kryer në Greqi, në vitin 1991. Sipas vendimit të gjykatës për dënimin e këtij shtetasi, ngjarja në fjalë ka ndodhur në muajin korrik të vitit të largët 1991, ndërsa në vitin 2011, Gjykata e Fierit e ka dënuar atë me 18 vite burgim, por një vit më vonë, Apeli i Vlorës e ka prishur vendimin e dënimit, duke pushuar çështjen dhe urdhëruar lirimin e tij. Në arsyetim të vendimit për pushim të çështjes, është thënë se me provat e administruara nuk “nuk provohet që vrasja është kryer nga i pandehuri”. Ndaj këtij vendimi është bërë rekurs nga Prokuroria e Gjykatës së Apelit Vlorë, në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit pas shqyrtimit, e ka kthyer për rigjykim sërish në Gjykatën e Apelit, por me një tjetër trup gjykues. Po e njëjta gjykatë, por me tjetër trup gjykues ka dhënë dënimin me 10 vite burg për Engjëllush Agalliajn.
Historia
Në muajin korrik të vitit 1991, për arsye ekonomike, shtetasit Aristir Koliçi dhe Frederik Koliçi (viktima), vëllezër, kanë emigruar në Greqi dhe janë vendosur në Moskoneri të Lehenos Ilias, Patra në Greqi. Ata punonin në bujqësi dhe banonin në të njëjtën banesë me Engjëllush Agallijan dhe shtetasit Anesti Tanka, Pandeli Petani e Petraq Petani. Po gjatë këtij muaji, pra në fillim të muajit korrik të vitit 1991, shtetasi Aristir Koliçi është larguar për në Athinë me qëllim blerjen e një automjeti, së bashku me shtetasin Anesti Tanka, duke lënë të vetëm në banesë, viktimën Frederik Koliçi, të cilit i kishte lënë dhe shumën prej 35.000 dhrahmi dhe të dënuarin Engjëllush Agallija. Po kështu, janë larguar edhe shtetasit Pandeli e Petraq Petani, të cilët kanë ardhur tek një dasmë e një të afërmi të tyre në Shqipëri. Mbrëmjen e datës 07.07.1991, shtetasi grek Georgius Karagianis, tek i cili punonin i dënuari dhe viktima, në stallën e tij, ka parë viktimën Frederik Koliçi dhe Engjëllush Agallijan dhe ka vënë re se, viktima Frederik Koliçi, në xhepin e përparmë të këmishës, kishte një shumë të hollash.
Të nesërmen në mëngjes, kur ka shkuar tek stalla, shtetasi Georgius Karagianis e ka gjetur derën të hapur dhe ka parë se në stallë, nuk kishte njeri. Në datë 09.07.1991 shtetasi Aristir Koliçi (vëllai i viktimës) kur është kthyer në banesë, nuk ka gjetur aty as të vëllain, viktimën Frederik Koliçi, as Engjëllush Agallijan dhe ka vënë re se, banesa ishte rrëmujë dhe se rrobat dhe sendet personale të të dënuarit, mungonin ndërsa ato të të vëllait, viktimës, ishin aty. Pas disa ditësh kërkimi, për shkak të erës që kundërmonte pranë banesës së tyre, duke kërkuar, shtetasi Aristir Koliçi së bashku me shtetasin Bashkim Avdullai, kanë gjetur në një kanal, të vrarë e të mbuluar me bar të thatë, viktimën Frederik Koliçi, i cili ishte goditur në kokë, në anën e djathtë të saj dhe nuk i kanë gjetur para në trup. Nga thëniet e dëshmitarëve, gjithashtu ka rezultuar se i gjykuari Engjëllush Agallija ka shkuar në Athinë tek kushëriri i tij, shtetasi Edmond Agalliu, të cilit i ka thënë se ka vrarë një njeri.
Të nesërmen ai është larguar duke lënë një shënim poshtë jastëkut ku flinte, ku shkruante: “jeta ime mori fund dhe po largohem”. Për këtë ngjarje është njoftuar Policia Greke, e cila ka shkuar në vendngjarje dhe ka kryer të gjitha veprimet procedurale. Sipas këtyre akteve, rezulton se vrasja e viktimës Frederik Koliçi ka ndodhur në limitet kohore të datës 07.07.1991 pas orës 08:30 deri në orën 07:00 të datës 08.07.1991.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/