Në 9 maj 2024, gazetari Baton Haxhiu u fut i maskuar me kapele në derën e SPAK, ku qëndroi dy orë.
Pasi doli nga ambientet e SPAK, Haxhiu tha se ka qenë atje për të intervistuar një prej hetuesve për një lajm.
“Isha për të intervistuar një prej hetuesve për një lajm. Kaq mund të them. Ju thashë që kam hyrë për intervistim. Nuk kisha fletë-thirrje. Kjo nuk ka lidhje me fletë-thirrje”, deklaroi Haxhiu përpara gazetarëve.
Gënjeshtra ishte sa banale aq dhe fyese për gazetarët dhe publikun.
Baton Haxhiu u dekonspirua nga vetë Ilir Meta në emisionin e Çim Pekës, disa ditë më parë. Meta tha se Batonin e kishin thirrur për çështjen e vilës së tij në Golem.
Ilir Meta bleu në vitin 2003 një vilë në Golem për 60 mijë USD. Në vitin 2006, vilën ia shiti Samir Manes për 300 mijë euro.
Më pas vila kaloi në emrin e Baton Haxhiut.
Mbetet mister se si vila ka kaluar në emrin e analistit, i paguar me 17 mijë euro rrogë mujore nga një oligark, i paguar nga inceneratorët, i lakuar si sekser i punëve të pista të politikanëve shqiptarë si dhe si spiun i UDB.
Ka dyshime të forta se Ilir Meta e ka shitur fiktivisht vilën në 2006, duke pastruar 300 mijë euro dhe se ka përdorur të besuarin e tij, Baton Haxhiun, për mbulimin e kësaj pasurie, ashtu siç dyshohet se Meta ka kamufluar një pasuri me vlerë qindra milionë euro në rrethin e një grupi biznesmenësh.
Prapaskena ka bërë një verifikim të pasurive në emrin e Baton Haxhiut. Nga verifikimi në regjistra hipotekorë rezulton se analisti Baton Haxhiu është pronar i një vile në Qerret. Vila rrethohet nga një sipërfaqe trualli 1446 m2. Bëhet fjalë për një pasuri me vlerë qindra mijëra euro, por që Baton Haxhiu e ka deklaruar 80 mijë euro në vitin 2021.
Baton Haxhi ka në pronësi edhe disa sipërfaqe toke në Golem.
Gjithsesi, vila e Ilir Metës, të cilën e shiti në 2006 për 300 mijë euro, nuk figuron sot në emrin e Baton Haxhiut.
Përpos dyshimeve për pastrim parash, Baton Haxhiun dhe Ilir Metën i bashkojnë edhe akuza për spiunazh. Analisti akuzohet si spiun i UDB, ndërsa për Ilir Metën, ditët e fundit, në media janë publikuar dokumente që konfimojnë se Ilir Meta është paguar me 50 lekë nga ish Sigurimi i Shtetit për të spiunuar shokët.
Pyetja e Baton Haxhiut në SPAK për vilën e Ilir Metës komfirmohet edhe nga Sali Berisha, i cili mori në mbrojtje analistin, mbi të cilin për vite me radhë kishte hedhur akuza të rënda si spiun i Millosheviçit.
“Ky thërret në prokurori për hetim Baton Haxhinë. E kuptoni ju kiminë time për Baton Haxhinë, por e thërret se ti ke blerë nga një biznesmen, një shtëpi të cilën atij ja kishte shitur, Ilir Meta. A ka akt më të turpshëm. Po mirë ti blerësin e parë do e pyesësh, por me të dytin çfarë ka lidhje ai, apo se dikur ka qenë e armikut Ilir Meta. Ua solla këtë shembull se sa i shpifur, se çfarë morali ka ky pervers, se si përdor ky hetimin dhe ligjin, për urdhërat e Edi Ramës.
Dhe mos harroni kurrë se ky çdo sekond, çdo orë dhe ditë që qëndron në post, qëndron në kushte antikushtetuese. Nga 6 vota, kushtetuta përcakton se në mënyrë taksative që duhej të kishte, është zgjedhur me 5 vota dhe me presion të madh. Jep dorëheqjen e o faqezi, se Kushtetuta nuk është morali yt, nuk është defterja jote, por është ligji themelor i shtetit“, tha Berisha.