Monitoer sot pas botimit të një artikulli nga një studim i BE-së e nirrte Shqipërinë të fundit në rajon për hapjen e vendeve të reja të punës, duke harruar se vende punë nuk janë vetëm ato, që hapen për argat bujqësie dhe punëtorë krahu. Një nga sektorët më të rëndësishme të ekonomive të vogla është vetëpunsimi
Vetëpunësimi është alternativa e fundit për ata që nuk kanë një zgjidhje tjetër në ekonomitë që janë në zhvillim, shkruan Forumi Ekonomik Botërore, në një analizë të fundit për këtë dukuri. Sipas të dhënave të Forumit, Kolumbia është shteti me normën më të lartë të vetëpunësimit në botë, ku 51.3% e të punësuarve e sigurojnë vetë punën.
Shqipëria mungon në të dhënat e Forumit, por INSTAT raporton që 35.8% e totalit të të punësuarve në vend janë të vetëpunësuar, duke na renditur në vend të dytë në botë pas Kolumbisë.
Vetëpunësimi është fenomen i ekonomive në zhvillim sipas analizës së Forumit Ekonomik Botëror. Pas Kolumbisë dhe Shqipërisë, me normë të lartë vetëpunësimi është edhe Greqia, ku 34.1% e të punësuarve e përbëjnë të vetëpunësuarit, referuar të dhënave të OECD.
Shtete të tjera ku norma e vetëpunësimit kalon 30% të totalit të vetëpunësuarve është Meksika me 31.5%, Turqia me 32.4%, Brazili 32.9%, Greqia 34.1%.
Tipar i ekonomive ku mbizotëron vetëpunësimi është se ato janë ekonomi më pak konkurruese dhe se është e vështirë që të përfitojnë nga ekonomitë e shkallës. Sipas analizës se Forumit Ekonomik Botëror vetëpunësimi për pjesën më të madhe të njerëzve vjen si alternativë duke qenë se nuk kanë zgjidhje tjetër. Fenomeni është më evident në zonat rurale.
Për Dr Brendan Burchell, ekspert për punën dhe mirëqenien në Departamentit e Sociologjisë të Universitetit në zonat rurale thuajse të gjithë janë të vetëpunësuar. Ai shton për Forumin Ekonomik Botëror se ka një ndërprerje midis dëshirës së perceptuar të vetëpunësimit dhe realitetit të jetuar për miliona njerëz në mbarë botën.
Si krahasohet Shqipëria me rajonin
Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka një normë shumë të lartë të vetëpunësimit, teksa është vendi që modelin ekonomik pas viteve ’90 e orientoi kryesisht në tregti dhe shërbime. “Monitor” ka krahasuar të dhënat për vetëpunësimin, bazuar në anketat e forcave të punës për vitin 2017, publikuar nga institutet statistikore përkatëse.
Në rajon pas Shqipërisë renditet Kosova, ku norma e vetëpunësimit ndaj totalit të të vetëpunësuarve sipas Agjencisë Së Statistikave të Kosovës për vitin 2017 përllogaritet 23.5%.
Në vend të tretë për normë të lartë vetëpunësimi renditet Serbia, ku përqindja e të vetëpunësuarve llogaritet të jetë 21.4%, sipas Zyrës Statistikore të Republikës së Serbisë. Gjysma e të vetëpunësuarve në Serbi janë në sektorin e bujqësisë.
Mali i Zi e ndjek me një diferencë të vogël për sa i përket vetëpunësimit, i cili llogarit se 19.1% e të punësuarve janë të vetëpunësuar, sipas Zyrës Statistikore të Malit të Zi.
Maqedonia dhe Bosnja kanë një normë më të ulët të vetëpunësimit me përkatësisht 12.8% dhe 12.7%, sipas statistikave zyrtare.
Shqipërisë i mungojnë ndërmarrjet e mëdha. Vetëm 41 kompani kishin më shumë se 500 punonjës, sipas renditjes së 100 punëdhënësve më të mëdhenj, të publikuar me Tatimet. Ndërsa rreth 100 kompani kanë më shumë se 250 punonjës, (në Shqipëri ka rreth 108 mijë ndërmarrje aktive në fund).
Për krahasim, Maqedonia, sipas statistikave zyrtare, ka 233 kompani me më shumë se 250 të punësuar, nga të cilat 70 janë në sektorin e industrisë përpunuese (në Maqedoni kishte gjithsej 71.5 mijë ndërmarrje në fund të 2016-s, sipas statistikave zyrtare).
Sa më i zhvilluar aq më pak vetëpunësim
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përqindjen më të ulët të të vetëpunësuarve. Sipas të dhënave të OECD, llogariten si të vetëpunësuarit 6.4% e totalit. Me normë të ulët të të vetëpunësuarve janë edhe vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore, si Norvegjia ku vetëpunësimi përbën 7% të të punësuarve, apo Danimarka 9.1%.
Në Bashkimin Europian norma e vetëpunësimit në pjesën më të madhe të shteteve është luhatur midis 10-15% të totalit të të punësuarve. Ndërsa në shtetet më pak të zhvilluara, deri në 70% e tregut të punës përbëhet nga të vetëpunësuarit./monitor