Sali Berisha deklaroi dje se, misioni i PD shpëton Shqipërinë. Në fjalën e tij online në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha tha se, “mbledhja e sotme e këtij forumi ka një rëndësi të veçantë, që nuk e ka pasur asnjë mbledhje tjetër qysh nga rithemelimi i PD, sepse nëse në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar, ne ende nuk kishim realizuar plotësisht asnjërin nga tre objektivat tonë madhorë, sot ne mblidhemi pasi dy nga tre objektivat tonë më madhorë, për arritjen e misionit tonë, ne i kemi përmbushur”.
“Realizimi i këtyre dy objektivave bën që sot Shqipëria të jetë në një realitet të ri, që deri para pak kohësh do të ngjante i pamundur. Në mars të vitit 1992, kur PD erdhi në pushtet herën e parë, në fjalimin e fitores ju drejtova shqiptarëve me këto fjalë:
Gëzuar ditën e parë të demokracisë. Ato fjalë sintezojnë më së miri misionin e atëhershëm të kësaj partie, sepse me atë akt PD ndante epokat për Shqipërinë. Ato fjalë ndanë diktaturën ideologjike nga demokracia. Në mënyrë të ngjashme, kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, dhe ua theksoj këtë: fitorja vitin e ardhshëm është në duart tona. Pra kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, fjalimi i fitores do të hapet me fjalët: Gëzuar ditën e parë të rikthimit të demokracisë.
Kjo miqtë e mi është rëndësia e misionit tonë. Misioni ynë ndan përfundimisht narkoshtetin nga demokracia. Misioni ynë çliron përfundimisht Shqipërinë nga pushtimi më i egër i brendshëm që i është bërë këtij vendi. Misioni ynë shpëton Shqipërinë”, deklaroi Berisha.