Në yryshin e radhës kundër kreut të SPAK, Altin Dumani, Ilir Meta sinjalizoi se SPAK po heton një nga linjat më të hershme, më flagrante dhe epike të korrupsionit të Metës me AKEP, në krye të të cilit kishte vendosur të besuarin e tij, ‘çantën’ dhe ‘xhepin’ e tij të thellë, Piro Xhixho.
Hetuesit e kanë pyetur Ilir Metën nëse ka ndërhyrë pranë kreut të AKEP, Pirro Xhixho për të licencuar dhe për t’i hapur rrugën kompanisë telefonike ‘PLUS’ për të operuar në tregun e telefonisë, meqenëse aksioneri i Plus i kishte blerë Metës vilën në Golem në 2006 për 300 mijë euro, vilë të cilën Meta e kishte blerë në 2004 për 60 mijë USD.
Pyetja është retorike. Faktet dhe rrethanat tregojnë se Meta nuk kishte arsye të ndërhynte te Piro Xhixho, pasi Meta ishte faktikisht kryetar i AKEP dhe Piro Xhixho ishte dora e tij që firmoste.
Prapaskena po sjellë edhe një herë në vëmendje se si Ilir Meta e shndërroi AKEP në një nga linjat e tij kryesore të korrupsionit, përmes Piro Xhixhos.
Pyetja që shhtrohet është nëse do të investohet SPAK për të hetuar çdo episod korruptiv të Ilir Metës dhe Piro Xhixhos në krye të AKEP, kur po heton shumë linja të tjera korruptive të Ilir Metës?
A do të avancojë SPAK deri tek hetimi i pasurive të Piro Xhixhos dhe të afërmve të tij, se cili është burimi dhe a justifikohen me të ardhura të ligjshme?
Afera 50 milionë euro kur meta ishte kryeministër
Gjatë kohës kur Ilir Meta ishte kryeministër 2000-2002, Pirro Xhixho nga Gjirokastra ishte drejtori i përgjithshëm i Post-Telekomunikacioneve në Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacioneve. Apostol Noti ishte kreu i Albtelekom.
Pirro Xhixho u shkarkua në shkurt 2004 pas abuzimeve me vlerë rreth 50 milionë euro në vit.
Në shtypin e kohës, u botua një raport i Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, i cili i ishte dërguar qeverisë shqiptare që në muajin shtator të vitit 2003, për një marrëveshje korrupsioni interkoneksioni midis Vodafone Albania dhe Albtelecom, atëherë operator shtetëror i linjës fikse.
Tarifat për thirrjet nga Albtelecom tek Vodafone ishin sipas marrëveshjeve të rëna dakord nga të dyja palët, ndërsa tarifat për thirrjet nga Vodafone tek Albtelecom vendoseshit njëanshmërisht nga Vodafone.
Miliona euro janë përvetësuar me rritjen e tarifave telefonike në atë kohë. Telefonia dhe energjitika ishin dy nga gjeneratorët kryesor të korrupsionit të Ilir Metës.
Një aferë tjetër e njohur është ajo e Arben Ahmetajt me kompaninë Hermes, me kosto rreth 50 milionë euro, në bashkëpunim me Albtelekom, që drejtohej nga Apostol Noti.
Vjedhja dyshohet se është realizuar në bashkëpunim nga Ahmetaj, Pirro Xhixho, Apostol Noti dhe Ilir Meta.
Në vitin 2016, kur ishte Ministër Financash, Ahmetaj arriti një marrëveshje me Albtelekom për të fshirë detyrimin 23 milionë euro që i kishte kompania e tij Hermes. Ministria e Finacave është aksionere me 13.7 % te Albtelekom, që është përthithur nga One Albania.
Pas bashkimit me Sali Berishën në 2009, Ilir Meta nuk i ndahet të besuarit të tij, Pirro Xhixho. Meta i kërkon Berishës emërimin e Xhixhos në krye të AKEP. Në 22 nëntor 2009, Sali Berisha, me kërkesë të Ilir Metës, emëron Pirro Xhixhon në krye të AKEP, me sa duket për të vijuar avazin e ndërprerë në shkurt 2004.
Në vitin 2011, Dritan Prifti, denoncoi një aferë korruptive të Pirro Xhixhos dhe Ilir Metës.
“Piro Xhixho erdhi një ditë në zyrën time të ish-Ministrit të Ekonomisë dhe më kërkoi të mbështesja vendimin e tij për t’i rritur 70% tarifat e Albtelekomit në vend. Ai i rriti tarifat në mënyrë skandaloze me rreth 70%, por letra ime zyrtare si ministër ekonomie bëri të mblidhej urgjent përsëri AKEP-ja dhe të anulonte vendimin. Unë e anulova këtë vendim, që do të godiste rëndë gjithë shqiptarët, dhe babai i Erisës (Erisa Xhixho, kryetare e lëvizjes rinore të LSI-së) dhe Ilir Meta u mërzitën, sepse iu desh të kthenin mbrapsht ato që kishin marrë“.
Në maj 2013, Sali Berisha e shkarkon Pirro Xhixhon si kryetar i AKEP, pasi Ilir Meta u bashkua me Edi Ramën.
Në 30 tetor 2013, Edi Rama, pasi erdhi në pushtet, me kërkesë të Ilir Metës, rikthen Pirro Xhixhon në krye të AKEP.
Dy vjet më vonë, në vitin 2015, TV Klan denoncoi Pirro Xhixhon për afera me vlerë rreth 100 milionë euro në krye të AKEP.
Pasi Ilir Meta nuk pranoi të vijonte koalicionin në 2017, Edi Rama hyri i vetëm në zgjedhje dhe fitoi.
Në nëntor 2017, Rama propozon shkarkimin e Pirro Xhixhos si kryetar i AKEP. Kuvendi i miraton. PD-ja abstenon.
Në vend të Xhixhos emërohet Ilir Zela. Ky i fundit gjen abuzime tronditëse dhe zbulon pazare me kosto dhjetëra milionë euro në tregun e telefonisë.
Qeveria e Ramës tregohet e matur për të ekspozuar aferat e Ilir Metës përmes Xhixhos në AKEP, pasi vetë Rama e kishte emëruar Xhixhon, i diktuar nga votat që kishte Meta.
Gjithësesi, në muajin nëntor 2018, AKEP gjobiti me gjysëm milionë dollarë kompaninë “Unifi Holding inc-dega Shqipëri”, për shkak të parregullsive të shumta që janë konstatuar në marrëveshjen që kjo kompani kishte nënshkruar në vitin 2014 me “Vodafone-Albania”.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Unifi-dega Shqipëri, merrte përsipër shërbimin e tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare, hyrëse e dalëse, për sipërmarrësin “Vodafone”.
Kjo marrëveshje ka qenë funksionale deri në Gusht të vitit 2018, kohë kur inspektorët e AKEP thelluan kontrollin mbi veprimtarinë e “Unifi-dega Shqipëri”, të cilin e kishin nisur në janar të vitit të kaluar.
AKEP ka konstatuar se, për të paktën 6 muajt e parë, marrëveshja e interkonjeksionit ka qenë e paligjshme, për shkak se Unifi nuk ishte pajisur me licensën përkatëse.
Në vijim të kontrollit, AKEP ka zbuluar gjithashtu se Unifin-Dega Shqipëri nuk ka deklaruar në bilancet e saj faturat e paguara për llogari të “Vodafone”, si edhe ato të shitjes tek klientët përdorues të shërbimit telefonik ndërkombëtar, për thuajse 3 vjet (2014-2016), duke hedhur dyshime për veprimtarinë e pastrimit të parave.
Në vendimin për gjobitjen e “Unifi-dega Shqipëri”, AKEP shprehet se “kontrolli mbi këtë kompani nisi për shkak se ajo nuk ishte kontrolluar për më shumë se tre vjet”.
Nëpërmjet kësaj shprehjeje, AKEP i vendos një kritikë për “neglizhencë” institucionit, për kohën kur ai drejtohej nga Piro Xhixho, lidhje e ngushtë e Ilir Metës.
Gjithashtu, marrëveshja e interkonjeksionit Unifi-Vodafone Albania, për të cilat AKEP ka dyshime të forta mbi rregullsinë e saj, është nënshkruar në kohën kur Ministria e linjës, ajo e Transporteve, drejtuar nga Edmond Haxhinasto, i emëruar nga Ilir Meta.