Ndërsa po bënte përgatitjet për protestën e radhës para Bashkisë, Muli po i fliste grupit organizator.
-Duhet të këmbëngulim fort që Ilir Beqajn e arrestoi lali Eri.
Kjo ngjit shumë, tha.
Lali Eri për të shpëtuar vet nga burgu, ka urdhëruar SPAK të arrestojë Ilir Beqajn, meqë është ende zhurma rreth skandalit të Onkologjikut dhe bëhet një kokë turku, një ministër Shëndetësie.
-Po sikur nuk ka lidhje fare, tha Lelo.
Se lali Erin e kemi akuzuar që ka arrestuar Doktorin, e kemi akuzuar se ka arrestuar drejtorët e tij, tani ta akuzojmë dhe për Ilir Beqaj?!
-S’ka rëndësi, tha Muli.
Ne nuk duhet të tërhiqemi tani nga kjo kauzë.
Derisa kemi vendosur që ai i bën gjithë të këqijat, ai e ka bërë dhe këtë.
-Puna është ta ndajmë mendjen, a është e keqe kjo që ka ndodhur, apo e mirë.
Se për shumë demokratë kjo duket gjë e mirë.
-Jo, tha Muli, është gjë e keqe.
Po filluan arrestimet për dreka e darka, ne duhet të ikim me vrap nga politika, se ashtu s’dalim kurrë nga burgu.
Ndaj na duhet akuzë politike, që e ka futur në burg lali Eri të shpëtojë vet.
-Dakord, tha Lelo, po kam frikë se më shumë njerëz ke tek kjo sallë sot, se sa para bashkisë nesër.