Nga Anri Bala
Dua tu rikujtoj, për ata që nuk e dinë, se Ilir Beqaj është i vetmi shok dhe mik i fëmijërisë së Edi Ramës, shok i rinisë, shok i ekipit të basketbollit Dinamo. Kanë 60 vite bashkë, ndaj e ka mbajtur politikisht.
Ngjarja e fundit tregon, se nuk është Rama që nuk i lëshon miqtë por SPAK, që i është qepur dhe nuk e lëshon qeverisjen e Ramës.
Ky SPAK nuk është bandë e Edi Ramës dhe nuk kontrollohet nga PS por kundërshtari më i palodhshëm i tij, falë edhe “këputjes së gjunjëve” të pozitës nga vrapimi i gjatë për t’iu larguar nga kthetrat.
Po të ishte për Ramën, Ilir Beqaj nuk do ishte në burg, por ai po ia jep mundësinë edhe një herë drejtësisë dhe kjo ndoshta është hera e fundit nëse dështon, të mos intimidohet por të ketë kohë dhe mundësi, pavarësisht se në çfarë niveli është, për të hetuar dhe gjykuar drejt.
Kjo do jetë ose gijotinë, ose një medalje e madhe për SPAK nga opinioni mbarë shqiptarë, që nuk gënjehet duke i treguar çdo ditë lugën e florinjtë bosh, siç ka vite që po ua tregon.
Ka ardhur koha që pozicioni i SPAK duhet të sqarohet për këtë periudhë të mbarsur me shumë dyshime të kahershme, që fatkeqësisht për ne dhe jo për ata, janë të vërteta, duke krijuar një profil krejt tjetër për qytetarët.
Siç e shikojmë ne realitetin sot, SPAK, me veprimet apo mos veprimet e tij, me hapin apo me turravrapin që ka marrë, pas çdo pordhe të lëshuar nga gjithfarë hajdutësh ordiner në pension, ish shërbëtor të Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët kanë kryer krime nga më monstruozet, të pagoditura në kohën kur Shqipërinë e kishin kthyer në çiflig, në tepsi të madhe qejfi por edhe thertore… duket sikur është bashkëpunëtor i tyre!
Misioni i SPAK është ndryshimi i elitës politike. Por sot është kthyer në një “shurrtore” e artë, ku po shurron opozita, që krimet e saj i ka mbuluar me gojën e mbyllur dhe kapakun e artë të heshtjes së kësaj strukture karagjozësh e mbushur me ish militantë të PD-së.
Arresti i shtëpisë së Berishës dhe Abit milioner, me masën e sigurisë ndaj Beqajt, është si burgosja e Nexhmije Hoxhës me kafet e Drejtorisë së Pritjes. Ky është një humor i zi që të bënë të ulërasësh dhe jo të buzëqeshësh për të gjithë shqiptarët.
Hetimet qesharake për botokse për çiftin Meta, është një fyerje tjetër në morinë e krimeve të bëra për pasurimin e tyre, që kurrë nuk do të hetohen nga SPAK, por thjesht po përdoren si mjet balance kur mullarin nuk mund ta vendosësh në peshore me fijen e barit.
Peshorja e SPAK-istave do thyhet por do të jetë shumë vonë, kur këta ardhacakë penetrues nga drejtësia e plepave dhe e strukturave të hetuesisë kriminale të diktaturës të shpallen të pandehur.
Hoxha i kthyer në prift provizor, deri sa t’i mbaroi mandati, Altin Dumani me shokë majtas shikon djaj, kurse djathtas bekon engjëj, që nuk kanë lënë djallzi pa bërë kur ishin në pushtet.
Paaftësia e Ramës për të drejtuar shtetin me gabimet e tij, i kapur nga deliri i madhështisë si njeriu i drejtë, ashtu si Berisha dikur, u ka hapur rrugë këtyre strukturave që të bëjnë qejf dhe të harrojnë, se nuk është Rama shteti por janë mijëra shqiptarë që presin drejtësi dhe nuk do të lejojnë pafundësisht që zyrat e SPAK, BKH dhe GJKKO të kthehen në kisha me prokurorë priftërinj, që bekojnë para altarit krimet e kaluara të bandave të politikanëve shqiptarë dhe ushtarëve të tyre. /Ekskluzive.al