Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë arrest me burg për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe për bashkëpunëtorin e tij Ermal Kurtulaj. Mësohet se GJKKO gjithashtu ka lënë në fuqi masën ‘detyrim paraqitje’ për Bledar Lekën dhe Bjeona Zijajn. Ndërkohë që për Alfred Nikollajn dhe Elton Marinin, është vendosur masa e sigurisë ‘Arrest shtëpie’.
Çfarë ka ndodhur?
Para pak ditësh, veç Beqajt u arrestuan dhe Ermal Kurtulaj, krahu i tij i djathtë dhe Alfred Nikolla. Beqaj u arrestua lidhur me shpërdorimin e fondeve të BE-së, përmes agjencisë SASPAC, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte, edhe pse më parë ndaj tij, SPAK kishte nisur hetimet lidhur me koncesionet në shëndetësi. Përmes një deklarate, SPAK sqaroi se nga hetimet rezultoi se kur drejtonte Agjencinë SASPAC, ka ngritur skemë përfitimi me fatura dhe procedura prokurimi fiktive, duke zhvatur fondet e BE (Programi IPA II).
Sipas Prokurorisë së Posaçme, fondet për aktivitetet e agjencisë SASPAC shkonin te fituesit e paracaktuar sipas urdhrave dhe direktivave që jepte Beqaj. Në funksion të kësaj skeme, thotë SPAK, Beqaj ka bashkëpunuar me Ermal Kurtulaj, financieri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij. Restoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës, sipas SPAK, ndonëse ka për administrator një person tjetër, është pronë e fshehur e Beqajt. SPAK thekson se Beqaj ka investuar te restorant “Gzona” prej vitit 2019 shumat 21 411 euro dhe 4 666 110 lekë të reja për blerjen e pajisjeve dhe 34 783 euro si shpenzime qiraje.
Avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, Ermal Yzeiraj ka akuzuar se ka institucione që nuk duan që ai të mbrohet në çështjen e sterilizimit dhe check up. Duke folur për mediat, Ermal Yzeiraj u shpreh se, është pikërisht SPAK që nuk do, që Ilir Beqaj të njohë dosjen e sterilizimit dhe të mbrohet nga akuza. Po ashtu ka theksuar se dështimi i këtij hetimi për prokurorinë është problem.
‘Beqaj tha në gjykatë se e gjitha kjo, është një tentativë për ta denigruar si figurë, për ta nxirë si person që mund të akuzohet edhe për vjedhje nga më minimalet. Për të penguar atë që të punojë për çështjen e sterilizimit në gjykatë dhe deklarimin e tij në Kuvend. Për mendimin tonë, është pikërisht SPAK, sepse e kanë personale, pasi me këtë kanë nisur punën dhe aktivitetin e SPAK, me kallëzime ndaj Beqajt. Dështimi me çështjet kryesore si sterilizimi dhe check up, për akuzën është shumë domethënës’, tha Yzeiraj.