Kuvendi i kërkon Gjykatës Kushtetuese riçeljen e shqyrtimit gjyqësor sa i përket çështjes së mandatit të deputetes socialiste Olta Xhacka.
Qëllimi i kërkesës është që Gjykata Kushtetuese t’i kërkojë një opinion këshillimor Komisionit të Venecias.
Në kërkesën e firmosur nga avokatja që përfaqëson Kuvendin, theksohet se shikohet e nevojshme “që të kërkohet një mendim këshillimor nga Komisioni i Venecias, në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe rolit të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit”.
Vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese që detyronte Kuvendin t’ia dërgonte të njëjtën çështje për shqyrtim, u injorua nga deputetët e mazhorancës. Kjo bëri që opozita ta ridërgonte çështjen për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese, e cila ka zhvilluar për së dyti seancat me palët dhe pritet të dalë me vendim.
Në kërkesën e fundit, avokatja e Kuvendit thekson se deputeti nuk mund të detyrohet në votim, por i nënshtrohet vetëm bindjes dhe ndërgjegjes së tij. Ndaj dhe Kuvendi kërkon që të rihapet çështja dhe Komisioni i Venecias të pyetet nëse mund të detyrohet një deputet që të votojë në një mënyrë të caktuar, para se Gjykata Kushtetuese të shprehet për së dyti për mandatin e Olta Xhaçkës.